Kremlini ka akuzuar Presidentin e SHBA-ve, Joe Biden, se nuk dëshiron të përmirësojë lidhjet dypalëshe.
Marrëdhëniet e nderura tashmë midis Moskës dhe Uashingtonit u tensionuan më tej pasi Biden, tha në një intervistë për ABC Neës të mërkurën se besonte se presidenti rus ishte një vrasës.
Pas komenteve, Rusia thirri për sqarime ne Moskë ambasadorin e saj në Shtetet e Bashkuara te Amerikës (SHBA).
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se deklarata të tilla janë “të papreçedenta” në historinë e marrëdhënieve ruso-amerikane.
Ai paralajmëroi se përgjigjja e Rusisë ndaj këtyre vërejtjeve do të ishte “absolutisht e qartë“.
“Këto deklarata nga presidenti i Shteteve të Bashkuara janë shumë të rënda. Është e qartë se ai nuk dëshiron që marrëdhëniet me vendin tonë të kthehen në rrugën e duhur dhe ne do të nisemi prej kësaj pike,” u tha Peskov gazetarëve.
Ndërsa presidenti rus Vladimir Putin, raporton Reuters, në një konferencë për shtyp tha thjeshtë se i uronte “shëndet të mirë” Biden dhe që njerëzit priren të shohin të tjerët ashtu siç e shohin veten.
Ai shtoi se Moska do të vazhdojë të punojë me Shtetet e Bashkuara nëse është në interesin e Rusisë.
Marrëdhëniet e Uashingtonit me Moskën janë në nivelet e ulëta të pas Luftës së Ftohtë, të tensionuara nga çështje si përfshirjen e pretenduar të Rusisë në zgjedhjet SHBA-ve apo demokracive të tjera, konfliktet në Siri dhe Ukrainë, sulmet kibernetike nga hakerat rusë dhe helmimi dhe burgosja e kritikut të Kremlinit Aleksei Navalny.
Intervista e Biden erdhi pas një raporti nga Zyra Amerikane e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare që vlerësonte se Putini kishte “autorizuar dhe një sërë organizatash qeveritare ruse të ndikonin në operacione që synojnë denigrimin e kandidaturës së Presidentit Biden dhe Partisë Demokratike, duke mbështetur ish-Presidentin [Donald] Trump, duke minuar besimin e publikut në procesin zgjedhor dhe duke përkeqësuar ndarjet sociopolitike në Shtetet e Bashkuara. ”