Autoritetet ruse hapën një çështje të re penale kundër figurës kryesore të opozitës ruse, Alexei Navalny nga e cila ai mund të dënohet me 10 vite burg.
Navalny dyshohet si themelues dhe drejtues i një grupi ekstremist në Rusi, një krim që në Rusi dënohet me deri në një dekadë burg.
Aktualisht Navalny është duke vuajtur një dënim dy vjet e gjysmë burg për shkelje të lirimit me kusht, pasi u kthye nga Berlini ku u trajtua për helmimin me agjentin nervor Novichok.
Aleatëve të tij u janë bastisur shtëpitë, i është kufizuar liria e lëvizjes ose janë larguar jashtë vendit pasi gjykata në qershor vendosi që aktivitetet e tyre të ishin ekstremiste dhe të krijuara për të nxitur trazira shoqërore.
Në deklaratën e prokurorisë thuhet se disa nga aleatët kryesorë të Navalny janë të dyshuar për të njëjtat akuza dhe se bashkëpunëtorë të tjerë dyshohen se kanë marrë pjesë në aktivitetin ekstremist të grupit.
Aktivitetet e Navalny dhe aleatëve të tij vitet e fundit cilësohen si kriminale nga prokuroria..
Ai akuzoi aleatët e Navalny, shumë prej të cilëve tani veprojnë nga jashtë, për kryerjen e aktiviteteve të tyre të dyshuara ilegale pasi grupi i tyre ishte ndaluar si ekstremist.
Navalny u dërgua në Gjermani vitin e kaluar për trajtim mjekësor pasi u helmua në Siberi me atë që ekspertët perëndimorë arritën në përfundimin se ishte agjenti nervor ushtarak Novichok.
Navalny akuzoi Putinin për urdhërimin e sulmit, diçka që Kremlini e ka mohuar.
Moska ka hedhur poshtë akuzat dhe gjetjet e ekspertëve të cilat nxitën një valë të re sanksionesh kundër Rusisë dhe akuzoi Perëndimin për një fushatë shpifëse kundër saj.