Rusia akuzon Ramush Haradinajn për shantazh politik ndërsa konsideron Kosovën pseudo-shtet.
Ambasada ruse në Tiranë ka publikuar në Facebook një pjesë nga komenti i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Federatës Ruse mbi një deklaratë të Haradinajt disa ditë më parë.
Në prezantim të programit në parafushatë, kreu i AAK-së ka thënë se nëse Bashkimi Evropian vazhdon ta lë “të varur” Kosovën, do të hapet rruga për referendum për bashkim me Shqipërinë”.
Reagimi i Rusisë mbi këtë deklaratë ka qenë i ashpër.
“Kohët e fundit një nga politikanët shqiptarë e Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se synon të kërkojë mbajtjen e një referendumi për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, nëse ky pseudo-shtet i vetëshpallur nuk pranohet sa më shpejt në Bashkimin Evropian dhe organizatat ndërkombëtare si dhe Beogradi nuk do të njohë “pavarësinë” e Kosovës.”
Moska thekson se ky është një provokim që promovon idenë e Shqipërisë së Madhe.
“Këtu po bëhet fjalë për një provokim të radhës, të implikuar në ideologjinë e Shqipërisë së Madhe, e cila kohët e fundit ka përparuar gjithnjë e më intensivisht në rajon dhe kërcënon drejtpërdrejt integritetin territorial të shteteve të Ballkanit. Shantazhi politik është i papranueshëm dhe pikërisht kështu duhet të interpretohet fjalimi i R. Haradinajit, i cili me lehtësi propozon të rishikojë në mënyrë arbitrare kufijtë në Ballkan.”
Reagimi i ambasadës ruse në Tiranë vjen pas incidentit me diplomatin e shpallur ‘non-grata’ nga qeveria shqiptare për shkelje të masave kundër COVID-19.