Zyrtarët rusë të shëndetësisë kanë miratuar testimin e një kombinimi të vaksinave Sputnik V dhe AstraZeneca kundër COVID-19.
Testimi do të kryhet tek 150 vullnetarë në pesë institucione mjekësore në Moskë dhe Shën Petersburg dhe do të përfundojë në Mars 2022.
Studiuesit do të shikojnë se si një kombiminim i dozave të dy vaksinave do të ndikojë në përgjigjen e sistemit imunitar.
Të dy vaksinat përdorin teknologji të ngjashme, duke përdorur një virus të padëmshëm për të transportuar në organizëm material gjenetik nga proteina e sipërfaqes së COVID-19. Kjo bën që sistemi imunitar të krijojë kundërpërgjigje ndaj infekmit me COVID-19.
Vaksina Sputnik V u prezantua vitin e kaluar si një vaksinë me dy doza. Më vonë autoritetet shëndetësore krijuan një version të vaksinës të quajtur Sputnik Light, e cila do të shërbente vetëm me një dozë.
Në studimin e kombinimit të vaksinave do të përdoret doza e Sputnik Light.
Një studim nga Koreja e Jugut doli në përfundimin se një vaksinim i përzier me një dozë AstraZeneca dhe një dozë Pfizer prodhonte deri në gjashtë herë më shumë antitrupa, se vaksinimi me dy doza të së njëjtës vaksinë.
Muajin e kaluar, një studim britanik doli në përfundime të ngjashme – një dozë AstraZeneca e ndjekur nga një dozë Pfizer prodhoi reagim më të fortë dhe prodhim më të lartë antitrupash.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se ekziston mundësia që përzierja e vaksinave të ndryshme antiCOVID të funksionojë, por nuk e ka rekomanduar një gjë të tillë pasi më shumë të dhëna janë të nevojshme për të qenë të sigurt.