Agjencia Botërore Anti-Doping (WADA) i vendosi të pezullojë për 4 vite Rusisë nga të gjitha aktivitetet madhore sportive.
Kështu flamuri dhe hymni rus nuk do të shihen e as do të dëgjohen në evente si Lojërat Olimpike Tokio 2020, apo Kupa e Botës, Katar 2022.
Vendimi i WADA-s u mor sot në Lozanë të Zvicrës pasi u nxorr si përfundim se Rusia kishte vënë dorë në të dhënat laboratorike të sportistëve të saj duke vendosur analiza të rreme dhe duke fshirë të dhënat e lidhura me atletët e dopuar, të cilët mund të identifikoheshin në të ardhmen.
Çështja e dopingut në sportin rus ka zanafillë nëntorin e vitit 2015. Raporte të ndryshme në WADA nxorrën në pah se instancat shtetërore ruse drejtonin një sistem dopimi. Sportistët dopoheshin për të arritur rezultate të larta sidomos në aktivitetet olimpike.
WADA e pezulloi Rusinë nga lojërat olimpike të vitit 2016 dhe 2018. Pezullimi më von u hoq me premtimin nga shteti rus se do t’u mundësonte përfaqësuesëve të WADA-s aksesin në të dhënat e mbajtura ndër vite. Mirëpo këto të dhëna rezultoi se ishin manipuluar.
Kryeministri rus, Dimitry Medvedev e ka quajtur vendimin e fundit “histeri kronike antiruse”. Rusia ka 21 ditë të apelojë vendimin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë.
Pavarësisht vendimit në fjalë, Rusia do të lejohet të marrë pjesë në Euro 2020, pasi UEFA nuk ndikohet nga organizata të tjera jashtë saj. Krejt kundër bën FIFA, e cila ka marrë njoftim nga WADA dhe është shprehur se do ta shqyrtojë çështjen në vazhdimësi.
Vendimi gjithashtu nuk ndalon sportistët rusë që të marrin pjesë në evente sportive pa flamur dhe të përfshirë në grupin e atletëve të pavarur. Kushti i vetëm për këtë pjesë është që ata të rezultojnë negativ për doping.