Ambasadori i Rusisë në Britani ka akuzuar këtë të fundit se, me planin për të rritur arsenalin bërthamor të vendit, ka shkelur angazhimet e saj ndërkombëtare.
Reuters raporton se marrëdhënia politike midis Moskës dhe Londrës është “gati e vdekur“.
Në një përmbledhje të politikës së jashtme dhe të mbrojtjes, të miratuar nga Kryeministri Boris Johnson, Britania thoshte se duhej të rriste arsenalin e saj bërthamor, përballë evolucionit të kërcënimeve globale të sigurisë.
Britania tha se do të rrisë kufirin e sipërm të rezervave të saj të raketave bërthamore nga 180 në 260. I njëjti raport e klasifikoi Rusinë si “kërcënimin më të mprehtë për sigurinë tonë” në rajonin Euro-Atlantik.
Kremlini tha në atë kohë se i vinte keq për vendimin britanik,duke sugjerur se do të dëmtonte stabilitetin ndërkombëtar,
Ministria e Jashtme ruse e përshkroi masën si një goditje serioze për kontrollin ndërkombëtar të armëve të shkatërrimit në masë.
Andrei Kelin, ambasadori i Rusisë në Britani, shkoi më tej në një intervistë duke thënë se plani ishte i paligjshëm.
“Ju jeni duke rritur numrin e raketave bërthamore me 40%. Kjo është një shkelje e traktatit të mospërhapjes dhe shumë, shumë marrëveshjeve të tjera që thonë vetëm rënie ose zvogëlim të numrit të raketave”, tha Kelin për LBC, sipas një transkriptimi të pjesshëm në faqen e internetit të stacionit radio.
Traktati mbi Mosprhapjen e Armëve Bërthamore, të cilin Britania e ka ratifikuar, hyri në fuqi në 1970. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është shprehur se planet e saj nuk shkelin paktin.
Agjencitë ruse të lajmeve cituan Kelin të thoshte se marrëdhëniet politike midis Londrës dhe Moskës janë acaruar prej burgosjes nga Rusia të politikanit opozitar Alexei Navalny e më herët prej helmimit në vitin 2018 të një agjenti të dyfishtë rus dhe vajzës së tij.
Kelin tha se vetëm lidhjet kulturore dhe ekonomike kishin mbetur mes dy vendeve dhe se hera e hera e fundit që kishte folur me Ministrin e Jashtëm britanik, Dominic Raab, ishte në dhjetor 2019.