Sa do t’i kushtojë shqiptarëve drejtësia e reformuar

Sa do t’i kushtojë shqiptarëve drejtësia e reformuar

Hyrja në fuqi e reformës në drejtësi dhe krijimi tashmë i institucioneve të vetingut do të sjellë në buxhet shpenzimet të mëdha shtesë me rritjen e pagave të magjistratëve—gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Një nga shtatë projekt-ligjet e miratuara për të kompletuar reformën në drejtësi parashikon rritje të madhe të pagave dhe pensioneve të gjyqtarëve e prokurorëve që do t’i mbijetojnë procedurave rigoroze të përzgjedhjes.

Paga mujore e një gjyqtari, aktualisht rreth 130 mijë lekë, praktikisht do të barazohet me pagën e gjyqtarëve evropiano-perëndimorë duke u rritur në 330 mijë deri 580 mijë lekë, në varësi të vjetërsisë në shërbim dhe nivelit të institucionit ku shërben.

Mbi pagën bazë është parashikuar shpërblim për vjetërsi, rreth dy për qind për çdo vit, që praktikisht pothuajse e dyfishon pagën në fund të karrierës, si dhe përfitime të tjera për shkollimin e fëmijëve, etj.

Rreth një mijë magjistratët që shërbejnë aktualisht në sistemin e drejtësisë kushtojnë bashkërisht rreth 1,9 miliardë lekë në vit (rreth 13,6 milionë euro), ndërsa pas reformës vetëm buxheti për paga i tyre do të shkojë rreth 4,5 miliardë lekë në vit, pra rreth 35 milionë euro.

Në këtë shumë nuk përfshihet kostoja e pensioneve, e cila gjithashtu do të rritet, jo vetëm si pasojë e rritjes së pagave, por edhe sepse me ligjin e ri pensioni i tyre do të llogaritet mbi 60 për qind të pagës dhe jo mbi 40 për qind sikurse llogaritet për nëpunësit e tjerë publikë. Vetëm ky ndryshim do të kushtojë të paktën 3,2 miliardë lekë shtesë, që qeveria duhet ta mbulojë me transferime të mëtejshme në buxhetin e pensioneve.

Projekt ligji i ri parashikon gjithashtu rritjen e masës së pensionit që u kalon familjarëve në rast të vdekjes së parakohshme të magjistratëve—tashmë bashkëshortit apo bashkëshortes do t’i kalojë 60 për qind e pensionit ose 30 për qind e pensionit për çdo fëmijë.

Me miratimin e këtij projekt ligji, kostoja totale e pagave dhe pensioneve për gjyqtarët dhe prokurorët do të shkojë në rreth pra 7,7 miliardë lek (56 milionë euro) ose rreth 2,8 për qind e buxhetit total të shpenzimeve publike.

Për qëllim krahasimi, shpenzimi për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve do të jetë i barabartë me buxhetin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Pra, e thënë ndryshe për të financuar koston e pagave të reja të gjyqtarëve dhe prokurorëve, Ministria e Financave duhet të shkurtojë shpenzimet e tjera publike në një shumë sa buxheti total i Fondit të Zhvillimit që financon të gjithë investimet e të ashtuquajturës “rilindje urbane”.

Buxheti total i sistemit të drejtësisë (prokurori, gjykata, burgje dhe ministri) do të arrijë në rreth 19 miliardë lekë—gati 140 milionë euro—e barabartë me rreth 1,4 për qind të prodhimit të përgjithshëm të vendit.

Mesatarja e 27 vendeve të BE-së për të njëjtin zë është saktësisht gjysma, pra 0,7 për qind e prodhimit të brendshëm—me nivelin më të lartë në Bullgari (1,1 për qind) dhe Rumani e Poloni (të dyja fërsisht 0,8 për qind); ndërkohë që vendet evropiano-perëndimore më pak, 0,6 për qind në Itali, 0,5 për qind në Gjermani dhe në 0,3 për qind të prodhimit të përgjithshëm vendas në Francë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>