Sa janë shanset që institucionet e vetingut të formohen? – Exit shpjegon

Nga Vincent Van Gerven Oei
Sa janë shanset që institucionet e vetingut të formohen? – Exit shpjegon

Parlamenti supozohet të ngrinte sot komisionin e parë ad-hoc për vlerësimin e kandidatëve për institucionet e vetingut mbi bazën e dy listave të hartuara nga Avokati i Popullit dhe mbi rekomandimet e Operacionin Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM). Komisioni duhet të ketë 6 anëtarë, 3 nga maxhoranca e 3 nga opozita.

Më parë, kemi shpjeguar procedurën e ndërlikuar në të cilën tre komisione të ndryshme ad-hoc do të përgatisin listën përfundimtare të kandidatëve që do të votohen më pas në parlament. Kjo procedurë është e shtjelluar në nenet C(10) dhe C(11) të aneksit kushtetues.

Problemi

ONM dha rekomandim negativ për 8 për 29 kandidatët, që u vlerësuan pozitivisht më parë nga Avokati i Popullit. Pra, vetëm 21 kandaditë morën vlerësim pozitiv.

Po ashtu, nga lista me 164 kandidatë jo të kualifikuar nga Avokati i Popullit, 85 kandidatët e tjerë janë vlerësuar negativisht, ndërsa 79 kanë marrë vlerësim pozitiv nga ONM, dhe mund të kualifikohen nëse dorëzojnë dokumentet dhe certifikatat e munguara.

Pra, nëse komisioni ndjek këshillat e ONM-së, ai duhet të kërkojë informacion shtesë për 79 kandidaturat e vlerësuara pozitivisht. Këto të fundit paraqesin certifikatat e nevojshme dhe më pas, komisioni i përfshin të gjithë ata në listën përfundimtare të kandidatëve të kualifikuar.

Ky skenar, më i miri i mundshëm, na jep një listë përfundimtare me 100 kandidatë për tre insititucione të vetingut.

Lista më pas do t’i shkojë dy komisioneve parlametare ad-hoc; një me 12 deputetë (6 deputetë nga shumica dhe 6 nga opozita) që do të zgjedhë kandidatët për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Komisionerët Publike (KP); ndërsa komisioni i dytë ad hoc me 6 anëtarë (3 nga shumica dhe 3 nga opozita) që do të zgjedhin kandidatë për Kolegjin e Apelimit (KA).

Duke ndjekur procedurën e përshkruar në Kushtetutë, ky proces ka dy hapa. Më poshtë do të trajtojmë vetëm përzgjedhjen e 12 kandidatëve për KPK dhe 6 anëtarëve për KA. (Kandidatët për Komisionerët Publikë, kandidati i shtatë për KA-në dhe 6 kandidatët zevëndësues do të përzgjidhen me votim të hapur, me parimin “kush merr më shumë vota, fiton”.)

Hapi i parë për të dy komisionet ad-hoc është që secili anëtar i komisionit të përzgjedhë një kandidat të vetëm nga lista me kandidatët e kualifikuar. Përzgjedhja bëhet përmes një sistemi elektronik. Vota është sekrete dhe nuk diskutohet më parë me anëtarët e tjerë të komisionit. Pra, 18 anëtarët e dy komisioneve nuk e dinë se kë kandidat kanë zgjedhur të tjerët, e as nuk lejohen që ta ndërrojnë zgjedhjen e tyre. Pra, kjo do të thotë se në teori një kandidat mund të zgjidhet nga disa anëtarë të komisionit.

Megjithatë, Kushtetuta parashikon vetëm një përzgjedhje në të cilin çdo anëtar zgjedh një aplikant të veçantë: vetëm rasti kur 18 anëtarët e komisionit ad-hoc përzgjedhin 18 kandidatëve unike për KPK dhe KA – është një rezultat i vlefshëm i këtij hapi të parë në procedurën e përzgjedhjes.

Kjo na sjell përpara një pyetje të thjeshtë përllogaritjeje: Cila është mundësia që 18 anëtarët e komisionit ad-hoc të përzgjedhin 18 kandidatë unike nga një listë që përmban një maksimum prej 100 kandidatësh të kualifikuar?

Përllogaritje matematikore

Grafiku 1 – Raundi i parë i përzgjedhjeve me votim të fshehtë – © Exit

Në pjesën e parë të procedurës së votimit, çdo deputet në dy komisonet ad-hoc duhet të përzgjedhë një kandidat unik. Asnjë anëtar i komisionit nuk duhet të diskutojë për zgjedhjen e tij. Kushtetuta e ndalon debatin mes anëtarëve kur shkruan “pa debat përmes një votimi të fshehtë elektronik”.

Po ashtu, supozohet se dy komisionet votojnë në të njëjtën kohë (pra ata nuk i dinë rezultatet e komisionit tjetër) dhe Kushtetuta përcakton vetëm një raund votimi.

Bëjmë llogatitë!

Nëse të 18 anëtarët e dy komisioneve ad hoc do të duhej të zgjidhnin një nga kandidatët e kualifikuar, pa kushtin që përzgjedhja të ishte unike, numri i kombinimeve të mundshme të 18 kandidatëve është 10018, pra 100 x 100 x 100….., tetëmbëdhjetë herë.

Megjithatë, të gjitha këto 10018 mundësi janë të vlefshme vetëm nëse secili kandidat është zgjedhur vetëm një herë. Kjo do të thotë se anëtari i parë i komisonit ka 100 mundësi zgjedhjeje, i dyti ka 99 mundësi zgjedhjeje, i treti ka 98 mundësi zgjedhjeje e kështu më radhë.

Mundësia e një përzgjedhje të vlefshme të 18 kandidatëve në një raund të vetëm votimi të fshehtë është  [(100 × 99 × 98 … × 83) /10018 ] × 100% ≈ 19,63%.

Por që të kemi 19,63 % shanse për një zgjedhje të vlefshme, duhet që të 79 kandidatët e vlerësuar pozitivisht nga ONM të paraqesin dokumentet e munguara dhe të futen në konkurrim. Që kjo gjë të ndodhë, shanset janë shumë të vogla!

Le të bëjmë llogaritjet për 29 kandidatë, pra 21 kandidatë nga lista aktuale me 29 kandidatë hartuar nga Avokati i Popullit, që u vlerësuan pozitivisht nga ONM-ja, dhe 8 kandidatë të tjerë nga lista që ONM vlerësoi pozitivisht, por që duhet të paraqesin dokumente shtesë.

Në këtë rast, shanset për të arritur në një zgjidhje të suksesshme në raundin e parë zvogëlohen në mënyrë dramatike në vetëm 0.11%.

Shanset zvogëlohen edhe më tej nëse llogarisim vetëm për 21 kandidatë që kanë marrë vlerësim pozitiv nga ONM-ja.

Një llogaritje e përgjithshme

Një përgjithësim i këtij problemi “kushtetues” na lejon të llogaritim se sa kandidatë të kualifikuar duhet të kishim, në mënyrë që të ketë një shkallë të lartë sigurie që në një raund votimi të përzgjidhjen 18 kandidatët e nevojshëm për institucionet e vettingut.

Nëse duam të jemi të sigurtë prej 95 për qind, do të duhej një listë prej të paktën 2989 kandidatësh të kualifikuar. Nëse duam shanse më të larta se 99 për qind, do të duheshin 15230 kandidatë!

Çfarë mësojmë?

Nëse Kushtetuta zbatohet, votimi i komisioneve parlamentare ad-hoc bëhet pothuaj i pamundur me uljen e numrit të kandidatëve të kualifikuar. Vetëm nëse votimi elektronik do të të parandalonte automatikisht që dy anëtarë të votojnë të njëjtin kandidat.

Sidoqoftë, kjo ndërhyrje elektronike mund të interpretohet si ndarje e të dhënave ndërmjet anëtarëve të ndryshëm nëpërmjet votës së tyre, dhe votimi nuk do të ishte më tërësisht i fshehtë. Nëse dikush voton një kandidat por vota nuk pranohet nga sistemi, ato do ta marrin vesh se një anëtar tjetër i komisionit ka votuar për atë kandidat. Edhe pse emrat e anëtarëve të komisioneve nuk do të jenë publikë, fshehtësia e votimit shkelet.

Një zgjidhje tjetër do të ishte që anëtarët e komisioneve të mos zgjedhin vetëm një kandidat, por të japin një listë shumëemërore, ku kandidatët renditen nga më i vlerësuari deri tek më pak i vlerësuari. Sidoqoftë, edhe kjo do të ishte shkelje e kushtetutës sepse: së pari, votat e dy komisioneve duhet të grumbullohen e numërohen përndryshe zgjedhjet e dy komisoneve ad hoc mund të mbivendosen, dhe së dyti, anëtarët e komisioneve nuk zgjedhin asnjë kandidat, por i rendisin ato.

Zgjidhja përfundimtare do të ishte të kryheshin disa raunde votimi, derisa të dilte një selektim i vlefshëm i kandidatëve. Kjo do të merrte shumë kohë dhe do të ishte në shkelje të kushtetutës, sepse vetëm një raund votimi lejohet.

Me fjalë të tjera, të treja zgjidhjet e problemit të shtruara më sipër për 18 anëtarët e KPK-së dhe KA-së domosdoshmërisht do të të përfshinin shkelje të pjesshme të procedurës së përshkruar në kushtetutë, si fshehëtësia e votës, mënyra e votimit, ose numri i raundeve të votimit.

Parlamenti sërish e ka vështirësuar punën  e tij dhe “ekspertët” ndërkombëtarë, të cilët e kanë mbikëqyrur procesin legjislativ, qartazi nuk kanë njohuri në matematikë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>