Sa të besueshme janë sondazhet në Shqipëri?

Sa të besueshme janë sondazhet në Shqipëri?

Siç kemi shpjeguar më parë, mungesa e sondazheve të besueshme në Shqipëri e bën të vështirë të bësh ndonjë parashikim të arsyeshme në lidhje me ecurinë e fushatës zgjedhore dhe prirjet kombëtare dhe lokale të votimit.

Megjithatë gjatë zgjedhjeve të fundit, kompania italiane IPR Marketing ka zhvilluar sondazhe parazgjedhore. Këtë vit po ashtu, IPR Marketing do të bëjë disa sondazhe, rezultatet e të parit do të publikohen sot në darkë në televizionin Ora News.

Sipas metodologjisë së publikuar nga IPR në vitin 2015, kompania intervistoi një mijë njerëz përkatësisht në Durrës, Tiranë dhe Shkodër për zgjedhjen e kryebashkiakëve dhe anëtarëve të këshillit bashkiak. Sondazhi i fundit para zgjedhjeve të 21 qershorit u zhvillua mës data 10-15 qershor dhe IPR deklaroi se ka një marzh gabimi prej ±3,2 për qind.

Më poshtë janë parashikimet e tre sondazheve të fundit të IPR-së që të publikuara më datë 16 qershor dhe përkrah janë rezultatet e zgjedhjeve të 21 qershorit. Rastet kur devijimi është më pak se 3,2 për qind janë shënuar më ngjyrë të gjelbër.

Parashikimet e IPR dhe rezultatet finale per zgjedhjet e 21 qershorit 2015

Mund të thuhet se IPR ka arritur pothuaj gjithmonë të gjejë fituesin e garës, por parashikimi për përqindjen e votave jo gjithnjë i është afruar rezultatit final.

Pothuaj të gjitha përqindjet e parashikimeve të IPR-së në datat e renditura në tabelë ishin larg rezultateve të votimit. E vetmja garë në të cilën rezultatet e IPR-së iu afruan më shumë rezultatit të vërtetë është gara në Shkodër mes Voltana Ademit dhe Keti Bazhdarit. Parashikimi i IPR-së për rezultatin në qarkun e Shkodrës ishte 57 për qind për Voltana Ademin dhe 41 për qind për Keti Bazhdarin. Rezultati i votimit të 21 qershorit ishte 56,39 për qind për zonjën Ademi dhe 41,06 për qind për zonjën Bazhdari.

Në qarkun e Tiranës, gabimi i parashikimit të IPR-së për fitoren e Erion Veliajt ishte brenda marzhit të gabimit prej 3,2 për qindësh, por gabimi në rezultatet për Halim Kosovën dhe Gjergj Bojaxhiun ishte më i lartë se marzhi, respektivisht 5,5 për qind dhe 5,6 për qind.

Në qarkun e Durrësit, parashikimi i IPR-së ishte dhe më larg rezultatit të vërtetë të votimit. Sipas IPR gara në Durrës mes Vangjush Dakos dhe Grida Dumës ishte e hapur, pasi diferenca mes dy kandidatëve ishte vetëm 1 për qind. Në fakt rezultati final tregoi një fitore të Dakos me 14 pikë për qind diferencë.

Sondazhet e IPR-së për këshillat bashkiakë e mbivlerësuan forcën e PD dhe PS në Tiranë, Shkodër dhe Durrës dhe nënvleftësuan LSI-në, e cila arriti të siguronte një rezultat shumë më e lartë nga sa pritej, veçanërisht në Durrës. IPR kishte parashikuar 10 për qind të votave për LSI-në, e cili arriti një rezultat përfundimtar prej 22.75 për qindësh – më shumë se dyfishi i parashikimit.

Gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, në një anketë të publikuar më 18 qershor, 5 ditë para zgjedhjeve të 23 qershorit, kompania italiane parashikoi një fitore për koalicionin e majtë prej 51 për qindësh të votave, ndaj 45 për qind të votave për koalicionin e djathtë. Përsëri, këto parashikime u bazuan në 1,000 intervista në të gjithë vendin, dhe me një marzh gabimi të pretenduar prej ± 2,5 për qind. Rezultatet e zgjedhjeve, përsëri, ishin përtej parashikimeve të IPR: Koalicioni i majtë fitoi 57.6 për qind të votave, ndërsa koalicioni i djathtë mori 39.46 për qind.

Pavarësisht diferëncës në për qindjen e votave, numrit të mandateve apo të këshilltarëve bashkiakë, në përgjithësi IPR ka arritur të parashikojë fituesin. Për zgjedhjet e 25 qershorit, por sidomos sot kur Kryeministri Rama po lufton për të arritur 71 mandate i vetëm, rezultatet e sondazhit të sotëm do të kenë rëndësi të veçantë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>