Safet Bajri do ta kryejë dënim e gjykatës belge në Shqipëri

Safet Bajri do ta kryejë dënim e gjykatës belge në Shqipëri

Safet Bajri, i dënuar në Belgjikë dhe i arrestuar në Tiranë, do të vuajë dënim në burgjet shqiptare.

Bazuar në marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Belgjikës për njohjen e vendimeve, Gjykata e Apelit Shkodër njohu dënimin me 8 vite dhe 9 muaj burg për shfrytëzim prostitucioni dhe pjesëmarrje në grup kriminal. Por duke qenë se mes dy shteteve nuk ka marrëveshje për ekstradimin e të dënuarve, Safet Bajri nuk mund të ekstradohet dhe do ta vuajë dënimin në Shqipëri.

Safet Bajri u arrestua në Tiranë në shtator 2018, me kërkesë të autoriteteve belge. Në Belgjikë ai është dënuar dy herë, fillimisht, në vitin 2015 me 9 vjet burg, dhe pastaj në vitin 2017 me 13 vjet burg. Sipas policisë belge, Safet Bajri ka qenë njeriu që kontrollonte tregun e prostitucionit në Bruksel.

Në Belgjikë, Bajri  i shpëtoi arrestimit dhe vuajtjes së dënimit, pasi në qershor të vitit 2017, ai u dëbua në valën e përzënies nga vendi të emigrantëve të paligjshëm. Ndërkohë që hetohej dhe priste gjykimin në gjendje të lirë, pasi kishte paguar garanci monetare, Bajri ishte identifikuar dhe mbahej si emigrant i paligjshëm nga autoritetet belge të emigracionit, të cilat vendosën ta dëbojnë nga Belgjika.

Safet Bajri po hetohet dhe nga institucionet shqiptare si pjesë e bandës kriminale Bajri, ku bëjnë pjesë edhe Enver Bajri, Ilir Bajri (Rustemi) dhe Behar (Brajgoviq) Bajri, të gjithë vëllezër e kushërinj të parë, të cilët kanë zhvilluar aktivitet të trafikut të drogës, trafikut të qenieve njerëzore dhe shfrytëzimit të prosititucionit në Belgjikë, Hollandë dhe Shqipëri.

Ilir Bajri dhe 5 anëtarë të tjerë të bandës u arrestuan në Shkodër më 6 shtator 2018, ndërsa Safet Bajrin dhe 3 anëtarë të tjerë u arrestuan më 22 shtator 2018 në Tiranë. Po në shtator 2018, Behar Bajri u arrestua në Hollandë, ndërsa Enver Bajri, i cili konsiderohet si koka e organziatës, u arrestua një muaj më pas në Spanjë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>