Dy ditë më parë, u arrestua në Tiranë me kërkesë të autoriteteve belge, Safet Bajri, i dënuar me 22 vjet burg në Belgjikë për trafikim të qënieve njërëzore dhe shfrytëzim prostitucioni. Ai është dënuar dy herë, fillimisht, në vitin 2015 me 9 vjet burg, dhe pastaj në vitin 2017 me 13 vjet burg. Në total ai duhet të vuajë 22 vite burg. Sipas policisë belge, Safet Bajri ka qenë njeriu që kontrollonte tregun e prostitucionit në Bruksel.
Mediat belge shprehen se, pas arrestimit në Tiranë, autoritetet belge duhet të vendosin mënyrën si do të kryejë dënimin Safet Bajri, i njohur në Belgjikë me emrin Safet Rustemi—do të ekstradohet ta kryejë dënimin në Belgjikë apo do të lejohet ta kryejë atë në Shqipëri. Mediat belge citojnë shefin e policisë së Brukselit Martin Van Steenbrugge, i cili mësohet të jetë shprehur se:
“Rustemi është një nga kriminelët më të rrezikshëm. Ai është ende aktiv në botën e krimit. Policia ka investuar shumë në hetimin e krimeve të tij. Ai duhet të kryejë dënimin prej 22 vitesh në burg.”
Bajri i kishte shpëtuar arrestimit dhe vuajtjes së dënimit, pasi në qershor të vitit 2017, ai u dëbua nga Belgjika në valën e përzënies nga vendi të emigrantëve të paligjshëm. Ndërkohë që hetohej dhe priste gjykimin në gjendje të lirë, pasi kishte paguar garanci monetare, Bajri ishte identifikuar dhe mbahej si emigrant i paligjshëm nga autoritetet belge të emigracionit, të cilat vendosën ta dëbojnë nga Belgjika.
Ministria belge e Punëve të Brendshme dhe Kryeprokurori i Brukselit e kritikuan ashpër vendimin e autoriteteve të emigracionit, duke i akuzuar ato se kishin lënë të lirë një nga kriminelët më të rrezikshëm të Belgjikës. Por, ato u shfajësuan duke u shprehur se nuk kishin marrë asnjë kërkesë për ta mbajtur këtë kriminel në Belgjikë. Sekretari i Shtetit për Azil dhe Migracionin Theo Francken u shpreh atëhere se:
“A do ta kryej dënimin Rustemi? Ende ekziston mundësia. Ne kemi një marrëveshje ekstardimi me Shqipërinë, që ngarkon policinë shqiptare ta gjej këtë njeri, ta dërgojë në Belgjikë që ai të kryej dënimin këtu. Shqipëria, tani nuk është më në fund të botës.”
Pas dënimit, Safet Bajri u përfshi në listën e kriminelëve më të kërkuar të Belgjikës.
Safet Bajri është një nga drejtuesit kryesorë të organizatës kriminale Bajri, ku bëjnë pjesë edhe Enver Bajri, Ilir Bajri (Rustemi) dhe Behar (Brajgoviq) Bajri, të gjithë vëllezër e kushërinj të parë, të cilët kanë zhvilluar aktivitet të trafikut të drogës, trafikut të qenieve njerëzore dhe shfrytëzimit të prosititucionit në Belgjikë, Hollandë dhe Shqipëri.
Ilir Bajri dhe 5 anëtarë të tjerë të bandës u arrestuan në Shkodër më 6 shtator, ndërsa Safet Bajrin dhe 3 anetarë të tjerë u arrestuan më 22 shtator në Tiranë. Behar Bajri u arrestua pak ditë më parë në Hollandë dhe Enver Bajri, i cili konsiderohet si koka e organziatës, mbetet ende në kërkim.
Behar Bajri dhe Ilir Rustemi ishin arrestuar më parë nga policia shqiptare, në vitin 2016, pas një atenati me armë, në Shkodër, ndaj Donald Shtjefnit, anëtar i një bande rivale. Por ata u liruan në rrethana ende të paqarta.
Ndërsa anëtarët e bandës zhvillonin aktivitetin e tyre kriminal në Shqipëri, Belgjika nuk ndaloi përpekjet për gjetjen dhe arrestimin e tyre. Në korrik të 2018, gazeta e rëndësishme belge La Derniere Heure, botoi shkrimin “Portreti i një djali vërtet të keq, Safet Rustemi”, në të cilin denonconte faktin se një nga kriminelët më të rrezikshëm e më të kërkuar të Belgjikës kishte gjetur strehim në Shqipëri ku mbrohej politikisht nga deputeti i PS-së Luan Harusha. Derniere Heure akuzoi deputetin Harusha se kishte shpëtuar Safet Bajrin nga arrestimi pas një grindje me armë të ndodhur në një nga lokalet më të famshme të Shkodrës.
Kjo lidhje ndërmjet deputetit të PS dhe bandës Bajri është denoncuar më parë edhe nga opozita dhe disa media të vendit.
Vetë deputeti socialist Harusha i ka mohuar lidhjet me Safet Bajrin. Pas shkrimit në median belge. Në një intervistë për Fax Web, pyetjes nëse Safet Bajri ka financuar PS-së në Shkodër në zgjedhjet e viti 2017, Harusha i është përgjigjur negativisht:
“Safet Bajrin e kam kojshi në lagje, ai s’ka qenë fare në zgjedhje. Jo ka ardhur nga burgu nga shtatori, a tetori, ku di unë”.
Por, kjo deklaratë e tij është e pavërtetë pasi Bajri nuk ka qenë asnjë ditë të vetme në burg, dhe ka qenë pikërisht në Shkodër në periudhën e zgjedhjeve.
Nuk dihet nëse kjo akuzë për mbrojtje politike do të hetohet sikurse nuk dihet nëse Bajri do të hetohet për krime të kryera në Shqipëri, apo është arrestuar vetëm për llogari të autoriteteve belge. Njoftimet e deritanishme të policisë dhe prokurorisë shqiptare më shumë se sa informacion sqarues kanë qenë veprime propagandistike.