Policia e shtetit njoftoi dje se në dy fluturimet e fundit të Guardia di Finanza nuk janë gjetur më parcela të mbjella me kanabis. Zyrtarisht, kultivimi i drogës ka mbaruar.
Për këtë na vjen në ndihmë edhe vetë Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i cili deklaroi para pak ditësh në Kuvend se “ Ne shkatërruam 99,7 përqind të drogës”.
Le të supozojmë se e gjithë droga që është nisur për në Itali është kapur nga policia italiane, që është gati e pamundur. Le të supozojmë që në Greqi nuk ka shkuar asnjë gram drogë nga Shqipëria. Po kështu në asnjë vend tjetër fqinj.
Pra, me pak fjalë le të supozojmë se e gjithë droga e kultivuar në vend ose shkatërruar nga policia shqiptare ose është kapur nga policia italiane.
Atëherë, sipas deklaratës së Zotit Tahiri, 12 tonë drogë të kapura nga policia italiane vetëm gjatë muajve gusht – shtator 2016, është e barabartë me vetëm 0,3 për qind të mariuanës së prodhuar në vend.
Kjo do të thotë që në Shqipëri janë prodhuar të paktën tre milion e nëntë qind mijë kilogramë ose 3 900 ton drogë.
Problemi i vërtet vjen më pas: pas këtyre deklaratave, Ministri Tahiri nuk mund të djegë apo të sekuestrojë më asnjë parcelë, duke qenë se ka pohuar se tashmë ai e ka “kapur” të gjithë drogën që ishte prodhuar.
Por, forcat e policisë italiane sigurisht nuk do të ngadalësojnë aksionet e tyre dhe me siguri do të sekuestrojnë sasi të tjera. Çfarë do të thotë atëherë Zoti Tahiri? Ndoshta, që origjina e drogës është nga shqiptarët që jetojnë në Greqi?
Sekuestrimet e kanabisit nga policia italiane për periudhën gusht-shtator:
Fano 13 Gusht 2016 1 820 kg
Bari 22 Gusht 2016 214 kg
Otranto 29 Gusht 2016 80 kg
Brindisi 9 Shtator 2016 3 800 kg
Taranto 13 Shtator 2016 136 kg
Foggia 14 Shtator 2016 100 kg
Lecce 15 Shtator 2016 74 kg
Ostuni 20 Shtator 2016 700 kg
Brescia 21 Shtator 2016 4 630 kg