Ish-ministri Saimir Tahiri kërkoi sot gjykim të shkurtuar, por gjykata vendosi shtyrjen e seancës gjyqësore për shkak se munguan të pandehurit e tjerë.
Tahiri po gjykohet për korrupsion, trafik të lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim dhe për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal. Bashkë me të, në gjykim janë edhe tre ish-zyrtarë të policisë në Vlorë. Seanca u shty sepse asnjëri prej tyre nuk u paraqit, duke bërë që ajo e radhës të vendosej për t’u mbajtur më datë 3 korrik.
Në dalje prej gjykatës Tahiri u shpreh për gazetarët se:
Jam ministri më jetëgjatë dhe më i miri në historinë e demokracisë.
Edhe pse ka kërkuar gjykim të shkurtuar, Tahiri këmbënguli se kjo nuk do të thotë se ai e ka pranuar fajësinë. Tahiri e quajti procesin ndaj tij “proces politik” dhe tha se kishte kërkuar që të mos ketë asnjë vonesë nga puna e gjykatës.
Ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është ministri i parë në Shqipëri i akuzuar nga Prokuroria për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafik ndërkombëtar droge.
Në tetor 2017, Prokuroria kërkoi arrestimin e Tahirit si i dyshuar për pjesëmarrje në një organizatë kriminale të trafikimit të drogës në Itali. Për më tepër mund të lexoni këtu, këtu dhe këtu.