Sot, Gjykata e Krimeve të Rënda shqyrtoi kërkesën e Saimir Tahirit, kundër vendimit të prokurorëve të çështjes për zgjatje të hetimeve deri më prill 2019. Gjykatësja e Krimeve të Rënda, Liljana Baku i kërkoi materiale shtesë prokurorëve të çështjes dhe e shtyu seancën për ditën e hënë.
Pas përfundimit të seancës, Tahiri akuzoi prokurorinë se po zgjat hetimet në mënyrë të pajustifikuar. Ai tha se:
“Nuk më ka humbur durimi, kam një vit e disa muaj që pres, pa komentuar asnjë vendim të prokurorisë, por pres ti shkoj drejtësisë deri në fund, pa bërë sikur kanë bërë të tjerët para meje që janë hetuar për vrasje dhe vjedhje. Gjithçka që po ndodh e ka kapërcyer çdo limit të kohës kur mund të bëhet një hetim”.
Tahiri kundërshtoi edhe kërkesën e prokurorëve për të zhvilluar seancën me dyer të mbyllura.
“Për çfarë sekreti flisni, kur unë këtu kam mesazhet se si prokuroria ka trafikuar pa fund lajme për dosjen time. Sekret hetimor s’ka më, seanca të vazhdojë me dyer të hapura.”
Më 18 janar, Prokuroria e Krimeve të Rënda vendosi shtyrjen e hetimeve ndaj ish-Ministrit Tahiri, për përfshirje në bandën Habilaj, për të paktën edhe 3 muaj, deri në prill 2019.
Sipas prokurorëve, Dritan Prençi, Arenc Çela dhe Vladimir Mara, shkak për shtyrjen e hetimeve është pritja për përkthimin e dosjeve të ardhura nga Italia dhe marrja e përgjigjes për ndihmë juridike dhe nga Mali i Zi. Kjo është hera e katërt që prokuroria shtyn hetimet për këtë çështje.
Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri akuzohet për trafikimin e narkotikëve, në bashkëpunim me bandën Habilaj dhe korrupsion pasiv si funksionar i lartë.