Saimir Tahiri lobon në Amerikë për të pastruar figurën

Nga Exit News
Saimir Tahiri lobon në Amerikë për të pastruar figurën

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka kontraktuar një kompani amerikane për të lobuar për të në Shtetet e Bashkuara të Amerkës.

Kompania është Stone Strategic Solution (SIII) dhe ajo ka raportuar për këtë kontratë në bazë të ligjit për Aktin e Regjistrimit të Agjentëve të Jashtëm (FARA).

Sipas kontratës, do të angazhohet të bisedojë me përfaqësues të institucioneve amerikane sepse klienti i tyre, ish-ministri Tahiri pretendon se deklaratat publike të personelit të ambasadës amerikane në Shqipëri mund të kenë ndikuar vendimin e autoriteteve shqiptare.

Kompania synon të takojë përfaqësues të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Departamentit të Shtetit, Departamentit të Drejtësisë dhe komunitetit të inteligjencës.

Sipas kontratës, Saimir Tahiri do ta paguajë kompaninë për 3 muaj më nje tarifë bazë prej 20 mijë eurosh. Kjo kontratë është nënshkruar më 14 janar 2020 dhe zgjat deri më 14 prill 2020, me të drejtë zgjatjeje pa afat.

Ndërkohë për çdo aktivitet shtesë për takimet e kompanisë me përfaqësuesit e institucioneve amerikane apo aktivitete të tjera do të kenë pagesë shtesë. Gjysma e shumës për secilin aktivitet do të paguhet paraprakisht, ndërsa gjysma e mbetur në fund të aktivitetit.

Kompania ka selinë qendore në Virginia në Amerikë, ndërsa një seli tjetër e ka në Bukuresht të Rumanisë.

Më 20 shtator 2019, ish-ministri Tahiri u shpall fajtor nga gjykata e Krimeve të Rënda për  shpërdorim detyre, ndërkohë akuzat për bashkëpunimin dhe trafik droge me bandën e Habilajve u rrëzuan.

Gjykata vendosi dënimin e tij me 5 vjet burg, që u konvertua në 3 vjet e 4 muaj shërbim prove, duke qenë se Tahiri kishte kërkuar gjykim të shkurtuar.

Vendimi i gjykatës u apelua si nga prokuroria, ashtu dhe nga ish-minsitri Tahiri, por deri më tani gjykata e apelit nuk e ka shqyrtuar çështjen.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>