Prokuroria akuzoi Saimir Tahirin për “trafikim të lëndëve narkotike”, në bashkëpunim me një organizatë kriminale, dhe “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”.
Ditën e sotme u zhvillua seanca gjyqësore ku prokuria i paraqiti akuzën ish-Ministrit të Brendshëm.
Hetimet për Tahirin nisën në tetor të 2017 pas arrestimit në Katania të Moisi Habilajt dhe anëtarëve të grupit të drejtuar prej tij. Emri i ish-Ministrit Tahiri doli në përgjimet e bëra ndaj grupit kriminal Habilaj nga Prokuroria italiane. Vëllezërit Habilaj aktualisht akuzohen për trafik ndërkombëtar narkotikësh.
Gjykata e Krimeve të Rënda pranoi pak kohë më parë kërkesën e ish-Ministrit për moszgjatjen e hetimeve, duke i lënë afat prokurorëve për t’i përfunduar ato deri më 10 Mars. Ditën e djeshme prokuroria paraqiti në gjykatë dosjen e plotë dhe akuzën për Tahirin.