Saranda i kushton një bust Hilari Klintonit—një nivel i ri i servilizmit mediokër

Saranda i kushton një bust Hilari Klintonit—një nivel i ri i servilizmit mediokër

Këshilli Bashkiak i Sarandës, me propozimin e Kryebashkiakes Floriana Koka, ka miratuar vendosjen e një busti të Hillari Klintonit në bulevardin qëndror të qytetit, në shenjë nderimi për atë që ka bërë për popullin shqiptar.

Duke qënë se nuk njihet asnjë akt vendimarrës të Hillari Klintonit në mbështetje direkte apo indirekte të Shqipërisë dhe as ndonjë veprimtari tjetër të saj që i ka sjellë përfitime vendit, mund të mendohet se busti i Sarandës, në fakt, është bërë me motivimin e joshjes së saj për të bërë ndonjë gjë në të ardhmen, nëse ajo do të zgjidhet Presidente e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Të paktën në vendet e zhvilluara, kultura dhe gjykimi i shëndoshë, ndonjëherë edhe ligjet, sugjerojnë kushtimin e statujave apo emërtimeve të vendeve publike vetëm për ata të cilët kanë kohë që kanë vdekur, për të shmangur mundësinë që veprime të tyre të mëvonshme, apo fakte të zbuluara më vonë, të detyrojnë heqjen e statujës apo emërtimit.

Me pak fjalë, duhet që koha të bëjë punën e saj, duke shfryrë entuziazmet kalimtare, në mënyrë që kujtimi të kthehet në histori e që shembulli pozitiv që i ofrohet popullit nga ai personazh të kthehet në një gjykim përfundimtar, i skalitur në mermer ose i shkrirë në bronz.

Në Shqipëri ne nuk kemi pasur asnjëherë kohën e mjaftueshme për të patur një histori—me fjalë të tjera një të shkuar të përbashkët, të studiuar dhe të pranuar—por përkundrazi kemi përherë me shumë ngut për të festuar të tashmen si të ishte tashmë histori. Kjo prirje ndoshta është një përpjekje për t’i dhënë më tepër vlerë egzistencës sonë të papërfillshme, në periferinë e botës, duke u lëshuar shpesh në festime ngjarjesh me vlera të dobta historike, duke i quajtur ato “historike”, “ të pa para” , “të shkëlqyeshme” e kështu me rradhë.

Më pas, vetëm pak muaj më vonë, harrojmë dhe ndoshta dalin edhe lajme apo informacione, të panjohura më parë, të cilat ndryshojnë vlerat e personazhit, apo të faktit, të lavdëruar në festimet tona të nxituara.

Rezultati i kësaj prirje është që në Prishtinë ekziston një bust i Bill Klintonit dhe një bulevard me emrin e tij, në Fushë-Krujë busti i Xhorxh Bushit dhe në Tiranë një rrugë me emrin e tij, në Tiranë një bust i Papa Françeskut. Të gjithë janë ende gjallë dhe plot shëndet, të gjithë ende subjekt i gjykimit historik mbi ta.

Në të vërtetë, këto buste dhe statuja nuk janë veçse një operacion i mjerë dhe patetik “captatio benevolentiae” (të bësh për vete dikë me dinakëri), simptomë e mungesës së personalitetit dhe pavarësisë së dobët kulturore.

Me pak fjalë, ato janë akte të thjeshta servilizmi që normalisht lexohen si të tillë edhe nga vetë të mëdhenjtë e historisë.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>