Sekretari i Përgjithshëm i KM-së shkel ligjin për “të bërë” reformë në drejtësi

Sekretari i Përgjithshëm i KM-së shkel ligjin për “të bërë” reformë në drejtësi

Engjëll Agaçi Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave është negociatori që do përfaqësojë Partinë Socialiste në negociatat për reformën në drejtësi, përballë deputetit Oerd Bylykbashi për PD-në dhe Ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani për LSI-në.

Por kjo detyrë partiake bie ndesh me statusin e tij të nëpunësit civil, i cili e ndalon atë të përfaqësojë publikisht parti politike.

Neni 37 i Ligjit për Nëpunësin Civil përcakton se:

  • Nëpunësi civil nuk duhet të shprehë publikisht bindjet apo preferencat e tij politike.
  • Nëpunësi civil mund të marrë pjesë në veprimtari politike vetëm jashtë orarit zyrtar.
  • Nëpunësit civilë të nivelit të lartë drejtues nuk mund të jenë anëtarë të partive politike.

Ushtrimi nga Zotit Agaçi i një detyre partiake në mënyrë publike dhe në orar të punës së tij si Sekretar i Përgjithshëm është shkelje e hapur e ligjit.

Ky veprim duket edhe më absurd kur një nga detyrat kryesore ligjore të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave është sigurimi i ligjshmërisë së akteve dhe vendimeve të Këshillit të Ministrave.

Është e qartë se shkelja e ligjit nga Kryeministri dhe Sekretari i Përgjithsëm i Këshillit të Ministrave nuk është shkaktuar nga mungesa e reformës në drejtësi.

Në vitin 2013, Zoti Agaçi u emërua Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Ministrave, posti më i lartë dhe ndoshta më i rëndësishëm i shërbimit civil në vend, nga Kryeministri Rama edhe pse ai nuk kishte punuar asnjë ditë të vetme në administratën publike dhe, për më tepër, nuk kishte jetuar fare në Shqipëri gjatë 23 vjetëve të fundit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>