Gjykata e Posaçme vendosi sekuestron mbi pasuritë e dy ish anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe një të Gjykatës së Lartë.
Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, bëhet me dije se gjykata ka prnuar kërkesën e SPAK për sekuestrimin e pasurive të Fatos Lulos, Bashkim Dedjes dhe Shkelzen Selimit.
“Nga hetimi penal i kryer, rezultuan të dhëna që këta subjekte kishin në pronësi pasuri të paluajtshme, të cilat nuk i justifikonin me burime të ligjshme, apo pasuri që i kanë fshehur. Për këtë arsye, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, paraqiti në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesat përkatëse për sekuestrimin e pasurive në zotërim/pronësi të këtyre tre subjekteve.”, shkruan SPAK.
SPAK ka nisur prej muajsh hetimin e magjistrantëve të cilët nuk e kanë kaluar procesin e vetingut. Të parët nën hetim janë ata nga Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë.