Komiteti i Senatit Amerikan për Marrëdhëniet me Jashtë ka mirëpritur vendimin e qeverisë shqiptare për të strehuar afganët e larguar nga vendi i tyre pasi talibanët kanë marrë në kontroll të gjithë territorin.
“Populli i Shqipërisë po i tregon edhe një herë botës se çfarë do të thotë “BESA”. Ju keni respektin dhe falenderimet tona”, shkruhet në llogarinë e Twitterit të komitetit.
Mbi vendimin e qeverisë reagoi edhe ambasadorja Kim në Tiranë.
“BESA – atëherë kur ka më shumë rëndësi, populli shqiptar tregon gjithnjë nder, guxim dhe mirësi. Ne jemi krenarë që ju kemi miqtë dhe aleatët tanë.”, shkruan ajo në Twitter.
Më herët ishte ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright e cila shprehu mirënjohjen e saj ndaj Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Kanadasë për vendimin e tyre për t’iu ofruar strehë afganëve.
Qeveria shqiptare tregoi të dielën se ka pranuar të strehojë disa qindra afganë, të cilët kanë punuar për qeverinë amerikane.