Senati amerikan i kthen Presidentit Trump kandidaturën për ambasadore në Tiranë

Senati amerikan i kthen Presidentit Trump kandidaturën për ambasadore në Tiranë

Dje, Senati i SHBA-ve i ka kthyer mbrapsht Presidentit Trump emërimin e Kathleen Ann Kavalecit si Ambasadore e SHBA-ve në Tiranë.

Kthimi u bë në ditën e fundit të Legjislaturës së 115-të të Kongresit Amerikan, një ditë para fillimit të punës së Kongresit të 116-të.

Në fund të çdo legjislature, Senati është i detyruar me ligj t’i kthejë Presidentit të gjitha kandidaturat e propozuara prej tij për poste në administratë, të cilat nuk u konfirmuan nga Senati gjatë legjislaturës në mbarim.

Presidenti ka të drejtë t’i ripropozojë ose jo emërimet e tij dhe në rastin e Kavalecit kjo gjë do të mësohet në javët e ardhshme.

Kathleen Ann Kavalec u propozua për Ambasadore e SHBA-ve në Tiranë nga Presidenti Trump më 9 korrik 2018. Fillimisht, Komisioni i Jashtëm i Senatit e planifikoi dëgjesën me të në muajin gusht 2018, por dëgjesa u anulua dhe nuk u ricaktua më brenda legjislaturës që mbaroi më 3 janar 2019.

Arsyeja e anullimit ishte kërkesa e disa senatorëve të Komitetit të Jashtëm për më shumë infomacion mbi kandidaten Kavalec, pasi emri i saj ishte përfshirë në listën e personave që Komisioni i Inteligjencës i Kongresit dëshironte të pyeste në lidhje me përfshirjen e Departamentit të Shtetit në hartimin e dosjes Steele kundër ish-kandidatit presidencial Trump.

Komisioni i Inteligjencës i Kongresit filloi hetime mbi mënyrën e hartimit të dosjes së përgatitur nga ish-agjenti britanik Christopher Steele, i cili hodhi akuza për lidhje midis Fushatës Trump dhe Rusisë, pasi u mësua se Steele ishte paguar nga fushata e Hillari Klintonit për të dëmtuar kandidaturën e Trumpit përmes hartimit të kësaj dosjeje.

Mediat amerikane kishin zbuluar se, ndër të tjera, Kathleen Ann Kavalec, shefja e saj Victoria Nuland, të dyja funksionare të Departamentit të Shtetit, dhe Jonathan Winer, këshilltar i Xhon Kerrit në Departamentin e Shtetit, kishin komunikuar me Christopher Steele dhe kishin ofruar informacione për personat që kërkuan hapjen e hetimeve federale kundër Trump në bazë të dosjes Steele.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>