Senati miraton afro-amerikanin e parë në krye të Pentagonit

Nga Exit News
Senati miraton afro-amerikanin e parë në krye të Pentagonit

Senati amerikan ka miratuar Lloyd J. Austin në postin e sekretarit të Mbrojtjes të SHBA-së duke bërë që ai të jetë njeriu i parë me ngjyrë në krye të Pentagonit.

Sekretari i Mbrojtjes në SHBA është udhëheqësi dhe shefi ekzekutiv i Departamentit të Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara. Autoriteti i tij mbi ushtrinë amerikane është i dyti vetëm  pas atij të presidentit . Ky pozicion korrespondon me atë që zakonisht njihet si ministër i mbrojtjes në shumë vende të tjera. Sekretari i mbrojtjes emërohet nga presidenti me këshillën dhe pëlqimin e Senatit dhe është me ligj një anëtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Biden kërkon nga Austin të rivendosë stabilitetin në majë të Pentagonit, pas ndërrimeve të shpeshta gjatë administratës Trump.

Austin ishte gjenerali i parë me ngjyrë në krye të Komandës Qendrore të SHBA. Ai ishte gjithashtu afro-amerikani i parë në postin e zv / shefit të Shtabit të Ushtrisë në 2012 dhe gjithashtu shërbeu si drejtor i Shtabit të Përbashkët.

Biden ka punuar ngushtë me Austin në 2010-11 për të mbyllur përfshirjen ushtarake të SHBA në Irak ndërsa Austin ishte komandanti i lartë i SHBA në Bagdad. Forcat amerikane u tërhoqën plotësisht, vetëm për t’u kthyer në 2014 pasi grupi ekstremist i Shtetit Islamik kapi pjesë të mëdha të territorit Irakian. Në Komandën Qendrore, Austin ishte arkitekti kryesor i strategjisë për të mposhtur ISIS në Irak dhe Siri.

Austin ka premtuar të rrethojë veten me civilë të kualifikuar. Dhe ai e bëri të qartë në seancën e tij të konfirmimit se përqafon fokusin e hershëm të Biden në luftimin e pandemisë së koronavirusit.

Nën pyetjet nga senatorët, Austin u zotua të adresonte problemet e racizmit dhe ekstremizmin e dhunshëm në radhët e ushtrisë – probleme që morën relativisht pak vëmendje të publikut nga paraardhësi i tij i menjëhershëm, Mark Esper.

“Detyra e Departamentit të Mbrojtjes është të mbajë Amerikën të sigurt nga armiqtë tanë”, tha ai. “Por ne nuk mund ta bëjmë atë nëse disa prej atyre armiqve qëndrojnë brenda radhëve tona.”

Austin tha se ai do të insistojë që udhëheqësit e çdo shërbimi ushtarak të dinë se sjellja ekstremiste në radhët e tyre është e papranueshme.

Senati i konfirmoi Presidentit Joe Biden anëtarin e dytë të kabinetit; Avril Haines u konfirmua të mërkurën si gruaja e parë drejtore e inteligjencës kombëtare. Biden pritet të fitojë miratimin për të tjerët në ekipin e tij të sigurisë kombëtare në ditët e ardhshme, duke përfshirë Antony Blinken si sekretar i shtetit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>