Senatorët amerikanë letër Sekretarit të Shtetit Tillerson: Hetoni lidhjet e Ambasadës amerikane dhe USAID me Soros

Senatorët amerikanë letër Sekretarit të Shtetit Tillerson: Hetoni lidhjet e Ambasadës amerikane dhe USAID me Soros

Më 14 mars 2017, gjashtë senatorë të SHBA-ve, përfshirë edhe ish-kandidatin për president Ted Cruz, i kanë dërguar një letër Sekretarit të Shtetit Rex Tillerson. Ata kërkojnë hetimin e marrëdhënieve ndërmjet USAID-it dhe Fondacionit Soros.

Letra vjen pas kërkesës për informacion nga Departamenti i Shtetit nga ambasada amerikane dhe zyra e USAID-it në Tiranë mbi përdorimin e mundshëm prej tyre të fondeve të qeverisë amerikane në mbështetje të Fondacionit Soros dhe organizatave të lidhura me të.

Letra fillimisht përqendrohet në rolin e ambsadës amerikane dhe misionit të USAID në Maqedoni, për të cilat senatorët shprehin shqetësimin se:

Misioni i SHBA ka ndërhyrë në mënyrë aktive në politikën partiake në Maqedoni, duke ndikuar edhe në formësimin e mjediseve mediatike dhe të shoqërisë civile, shpesh duke favorizuar grupe politike me prirje nga e majta.

Gjatë viteve të shkuara, USAID i ka dhënë fonde Fondacionit Soros në Maqedoni dhe organizatave jo qeveritare të lidhura me të. Ky fakt e politizon rolin e Ambasadës amerikane në vend. “Ne duhet të qendrojmë larg promovimit të politikave të cilat janë të dyshimta edhe në vendin tonë dhe kanë mundësi të dëmtojnë marrëdhënien tonë me qytetarët e vendeve përfituese”, u shprehën senatorët.

Përveç Maqedonisë, gjashtë senatorët theksuan se një gjendje e tillë problematike po ndodh edhe në Shqipëri:

Ky problem nuk kufizohet vetëm në Maqedoni[…]. Liderë të respektuar nga Shqipëria kanë patur ankesa të ngjashme për diplomatë amerikanë dhe organizata të përkrahura nga Soros, që nxisin rezultate të caktuara politike për vendin e tyre.

Fondacioni Open Society Albania (FOSA) dhe ekspertët e tij, me fonde nga USAID kanë krijuar dokumentin kontradiktor strategjik për Reformën në Drejtësi. Disa liderë besojnë se këto “reforma”kanë si qëllim t’i japin kryeministrit dhe qeverisë së qendrës së majtë kontroll të plotë mbi drejtësinë.

Efektet destabilizuese të veprimeve të tilla në një vend anëtar të NATO-s janë të qarta, ashtu si dhe kërcënimi për përshkallëzim të mëtejshëm, teksa Shqipëria është në prag të zgjedhjeve parlamentare. Kjo është veçanërisht shqetësuese në dritën e raporteve ndërkombëtare për rritjen e korrupsionit qeveritar në Shqipëri dhe për rritjen e fuqisë së grupeve kriminalë dhe të trafikut të drogës në vend.

Senatorët i kërkojnë Sekretarit të Shtetit Tillerson të hetojë pikërisht marrëdhënien ndërmjet Ambasadës amerikane, USAID dhe Fondacionit Soros në Maqedoni dhe Shqipëri, ashtu si edhe në Amerikën e Jugut dhe Afrikë.

Letra vjen në një kohë që Ambasada amerikane në Tiranë ka mbajtur qendrime pro qeveritare dhe po investohet plotësisht në periudhën kalimtare për verifikimin e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, i njohur si ligji i vetingut.

Për shembull, Ambasadori amerikan Lu është anëtar i Bordit të Menaxhimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Ky bord është kritikuar nga Ministri i Drejtësisë dhe opozita si antikushtetues.

Për më tepër, në intervistën e dhënë sot për Zërin e Amerikës, Ambasadori Lu mbështeti hapur kandidatin e ri për Ministër të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Ai deklaroi se Ambasada amerikane “ka punuar ngushtë me Zotin Xhafaj si kryetar i komisionit parlamentar të ligjeve dhe për reformën në drejtësi”. Ai harroi të thoshte se lëvizjet e fundit antikushtetuese të Zotit Xhafaj e kanë lënë procesin e vetingut në dorë të fatit dhe të mbetur pezull, përforcuar nga bojkoti i Kuvendit.

Ambasadori Lu deklaroi, gjithashtu, se “nëse Zoti Xhafaj punon në mënyrë agresive kundër narkotikëve dhe krimit të organizuar, ai do të ketë mbështetjen tonë të plotë,” duke “harruar” për interes faktin se vëllai i Fatmir Xhafës është i përfshirë në trafik ndërkombëtar të drogës dhe ai nuk është distancuar asnjëherë nga këto akuza, as kur ka qënë Ministër i Drejtësisë më 2003.

Mbështetja e hapur e Ambasadorit Lu per Zotin Xhafaj, edhe përpara dekretimit nga Presidenti Nishani, është ekzaktësisht tipi i sjelljes për të cilin senatorët amerikanë shprehin shqetësim në letër.

Nëse hetohet marrëdhënia ndërmjet USAID-it dhe Fondacionit Soros në Shqipëri do të dalë në dritë fakti se USAID ka lidhje të forta me Fondacionin Soros në projektet e zbatuara në Shqipëri.

Së fundmi, USAID ka mbështetur organizatën konsulente East-West Management Institute (EWMI) me një fond prej 6 milionë dollarë për promovimin e reformës në drejtësi. EWMI, organizatë e mbështetur nga Soros, është i vetmi përfitues i të gjithë fondit të USAID për mbështetjen e reformës në drejtësi në Shqipëri.

Drejtoresha e Programit për Shoqërinë Civile në EWMI është Delina Fico, ish-bashkëshorte e Kryeministrit Rama dhe bashkëshortja e ish-ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore Bledi Çuçi. Zonja Fico, e cila ka qenë drejtuese dhe bashkëpunëtore e Fondacionit Soros në Shqipëri që në vitin 1991, kohët e fundit ka përfituar një fond prej 9 milionë dollarësh nga USAID-i në Maqedoni përmes bashkëpunimit të EWMI dhe Fondacionit Soros.

Letra e dërguar nga gjashtë senatorët e SHBA-ve vjen në një kohë që Departamenti i Shtetit po rishikon politikat e tij në Ballkan dhe mënyrën se si fondet e tyre janë përdorur për të favorizuar lëvizje të veçanta politike gjatë katër viteve të fundit.

Duket se kjo do të sjellë ndryshimin e politikave të cilat do të riformojnë marrëdhënien ndërmjet Ambasadës amerikane dhe qeverive të ardhshme në Shqipëri.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>