Kompanitë franceze “Alstom” dhe “Egis” së bashku me “Power Construction” të Kinës nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për të ndërtuar një metro në Beograd.
Projekti pritet të kushtojë rreth 4.4 miliardë euro sipas Reuters dhe përbëhet nga dy linja 22 dhe 20 km.
“Shpimi i tuneleve duhet të fillojë vitin e ardhshëm,” tha ministri serb i Financave, Sinisa Mali në ceremoninë e nënshkrimit, ndërsa projekti pritet të përfundojë në 2028.
Memorandumi i mirëkuptimit është një produkt i marrëveshjeve të veçanta për partneritetin strategjik midis Serbisë, Francës dhe Kinës, shtoi Mali.
Nënkryetari i bashkisë së Beogradit, Goran Vesic në tetor tha që “Power Construction” dhe “Alstom” ndajnë përkatësisht 70% dhe 30% të vlerës së ndërtimit.
Në vitin 2020 qeveria franceze tha se do të japë 581 milionë euro për projektet e infrastrukturës në Serbi, nga të cilat 454 milionë do të alokohen në metronë e Beogradit. Qeveria serbe do të financojë pjesën e mbetur nga buxheti i saj.
Serbia është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, i cili është gjithashtu partneri i saj kryesor tregtar, por ajo mban lidhje të ngushta ekonomike me Kinën e cila ka investuar miliarda euro në infrastrukturë dhe energji.