Serbia do të blejë nga Rusia sistem raketor pavarësisht paralajmërimeve nga SHBA-të se nëse e bën do të ketë sanskione.
Mediat ndërkombëtare cituan agjencinë shtetërore të lajmeve TASS, e cila raportoi më 6 nëntor se “sipas kontratës së nënshkruar sistemi raketor Pantsir-S do t’i dërgohet Serbisë brenda muajve të ardhshëm”.
Sistemi raketor Pantsir-S, me rreze të mesme për mbrojtje ajërore, konsiderohet i sofistikuar.
Pak ditë më parë në një takim mes Presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe përfaqësuesin e SHBA-ve në Ballkan, Matthew Palmer, u diskutua edhe për këtë temë. Palmer citohet t’i ketë “kërkuar Vuçiçit të bëjë kujdes me marrëveshje të tilla” duke nënkuptuar sanksione.
Më 5 nëntor Presidenti Vuçiç tha se “Serbia po blen armë mbrojtjeje nga Rusia” dhe se ai kërkonte që “të shmanget çdo sanksion apo përplasje me Amerikën”.
Muajin e kaluar Serbia zhvilloi stërvitje ushtarake me Rusinë, e cila përfshiu në operacion edhe pajimet ushtarake të tilla si raketat me rreze të gjatë S-400 dhe me rreze të mesme Pantsir-S.
Serbia ka vazhduar të mbajë lidhje të forta ekonomike dhe politike me Rusinë, pavarësisht vendosjes së objektivit për t’u anëtarësuar në BE. Kjo gjë u pa qartë me vendimin e shtetit serb për të mos vendosur sanksione ndaj Rusisë kur kjo gjë u vendos nga NATO dhe BE në rastin e konfliktit në Ukrainë.
Ndërkohë Rusia i ka shitur Serbisë avionë, helikopterë, tanke dhe tashmë edhe sisteme raketore duke ngjallur kështu shqetësim në vendet e rajonit.
“Serbia po armatoset sepse është një vend i lirë i rrethuar nga shtete anëtare të NATO-s, vende me të cilat ne duam të jemi miq” – ka thënë në të shkuarën Vuçiç, i cili së fundmi i ka justifikuar zgjimin e marrëdhënieve me Rusinë apo Kinën si rezultat i bllokimit të politikave integruese të BE-së.
Shteti serb ishte palë kryesore në luftërat që u zhvilluan në Ballkan pas shpërbërjes së Jugosllavisë. NATO bombardoi Serbinë në vitin 1999 duke i dhënë fund luftës në Kosovë. Ndërhyrja dhe fakti se pas luftës Kosova u bë e pavarur ka bërë që Serbia dhe Rusia të mos e njohin pavarësinë e saj.