Serbia është shprehur e pakënaqur me marrëveshjen Izrael-Kosovë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se një akt i tillë “nuk do të ketë ndikim pozitiv në raportet e Serbisë me Izraelin”.
“Nuk kemi dashur të inkurajojmë, por të dekurajojmë që Izraeli të bëj një veprim të tillë, por ja që Izraeli vendosi që Amerika është më e rëndësishme”, tha Vuçiç.
Ai e bëri këtë deklaratë pas një takimi me homologun e tij francez, Emmanuel Macron, në Paris.
Sipas Vuçiç pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Kosovë-Izrael, asnjë vend mysliman nuk do të dëshirojë ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Njohja e Kosovës nga Izraeli
Izraeli ka njohur të hënën pavarësinë e Kosovës dhe dy vendet kanë vendosur marrëdhënie diplomatike mes tyre.
Izraeli bëhet kështu shteti i 117 që njeh pavarësinë e Kosovës.
Përmes një ceremonie online dy vendet nënshkruan marrëveshjen për hapjen e ambasadave dhe rritjen e bashkëpunimit mes tyre.
Kosova ka rënë dakord të vendosë marrëdhënie diplomatike me Izraelin dhe të hapë ambasadën e saj në Jeruzalem, në marrëveshjen e dakordësuar me presidentin Trump në 4 shtator.
Dialogu Kosovë-Serbi
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç u takua të hënën me presidentin e Francës Emmanuel Macron.
Vuçiç ka shkruar në rrjetet sociale se do të diskutojë edhe për Kosovën në këtë takim.
Pak ditë më parë në Francë ishte për vizitë i dërguari i BE për dialogun Kosovë-Serbi , Mirosllav Lajçak.
Ai e ka konsideruar si një ide të rrezikshme shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi.
Presidenti i Francës Emmanuel Macron, së bashku me kancelaren gjermane Merkel, kanë shtyrë të dy palët për të arritur një marrëveshje përfundimtare.
Së fundmi drejtuesit e partive në Kosovë janë përplasur me presidentin serb për shkak të një deklarate që ka bërë ai.
Vuçiç tha se do të bëjë të detyrueshëm shërbimin ushtarak në Serbi, për të ruajtur vendin.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti i kërkoi ndërkombëtarëve të reagojnë ndaj deklaratave të tij dhe i cilësoi ato të rrezikshme.
Në mars 2021 bëhet 10 vjet që prej nisjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Dialogu u ndërpre në fund të vitit 2018, pas vendosjen e taksës 100 përqind nga qeveria e Haradinajt mbi mallrat nga Serbia.
Më vonë, qeveria Kurti vendosi masa reciprociteti ndaj Serbisë, por këto të fundit u hoqëm nga Qeveria e Hotit, për të mundësuar vazhdimin e dialogut.
Deri më tani palët kanë arritur një marrëveshje për normalizimin e raporteve ekonomike, por bisedimet shpeshherë janë ndalur dhe ende nuk ka një dakordësi përfundimtare.