Serbia kërkon tërheqjen e policisë së Kosovës nga veriu

Nga Exit Staff
Serbia kërkon tërheqjen e policisë së Kosovës nga veriu

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç njoftoi vendimin pas një takimi urgjent të këshillit të sigurisë kombëtare në lidhje me taksën e vendosur nga Kosova të hënën: Serbia është gati të ulet në bisedime për taksën, nëse Kosova tërheq forcat shtesë të policisë nga dy pikat kufitare.

Dje ai e kishte kërcënuar Kosovën me “masa të dhimbshme” që do të shpalleshin pas këtij takimi, por të tilla masa nuk pati.

Presidenti tha se ai kishte refuzuar një propozim zgjidhje nga vendet e Quintit, dhe në vend të kësaj kishte kërkuar tërheqjen e pakushtëzuar të policisë së Kosovës nga territori i saj në veri.

Të hënën, Kosova nisi zbatimin e të njëjtit rregull që zbaton Serbia ndaj saj: makinat me targa serbe duhet të heqin targa para se të hyjnë në Kosovë dhe të përdorin një targë të përkohshme të Kosovës. Ajo kushton 5 euro dhe mund të përdoret për dy muaj. 

Serbia e ka zbatuar këtë masë ndaj makinave me targa të Kosovës që prej shpalljes së pavarësisë. 

Një marrëveshje e vitit 2016, e nënshkruar në Bruksel, u kërkonte palëve të lejonin kalimin e makinave në kufi pasi të mbuloheshin flamujt e Serbisë dhe Kosovës në targa. 

Mirëpo Serbia nuk e zbatoi kurrë këtë marrëveshje. Makinat e me targa Kosove i hiqnin dhe ende i heqin targat në kufi dhe blejnë një targë të përkohshme serbe. 

Edhe qeveritë e mëparshme në Kosovë nuk e zbatuan këtë marëveshje, por në kah të kundërt: makinat serbe u lejuan të lëviznin sikur të ishin në Serbi, pa mbuluar flamurin me pulla ngjitëse.

Më 15 shtator 2021, marrrëveshja skadoi. Qeveria e Kosovës vendosi të njëjtin rregull që ka Serbia.

Vuçiçi u shfaq shumë i alarmuar. Ai thirri me urgjencë organin më të lartë të sigurisë dhe mbrojtjes: këshillin kombëtar të sigurisë, që përfshin ndër të tjerë presidentin, ministrat e mbrojtjes dhe të brendshëm, shefin e ushtrisë dhe shefin e shërbimeve të inteligjencës.

Në të njëjtën kohë, politikanët serbë të Kosovës, të kontrolluar nga Beogradi , mbështetën një numër serbësh të Kosovës të cilët bllokuan rrugët për te dy pikat kufitare.

Kritikët e tij në Serbi thanë se Vuçiçi po organizonte një shfaqje, duke reaguar në dukje ashpër për diçka që e dinin të gjithë se do të ndodhte. Qeveria Kurti ia kishte bërë të qartë Serbisë se me skadimin e marrëveshjes, Kosova do të vendoste masë reciproke. Kritikët thanë se Vuçiçi po krijonte një stuhi në gotë, për ta portretizuar veten më pas si shpëtimtar të popullit serb.

Qeveria e Kosovës forcoi praninë e policisë në dy pikat kufitare, por nuk i shpërndau me forcë protestuesit për të hapur rrugët.

Pjesa veriore e Kosovës është e banuar nga një shumicë serbe që kur përfundoi lufta në 1999. Zona u pastrua etnikisht gjatë luftës, ndërsa shumica e shqiptarëve të mbijetuar, por edhe nga kombësi të tjera, u shpërngulën me në jug të vendit.

Të martën, Vuçiç u zotua se do të sigurojë ushqim të mjaftueshëm për serbët në veri të Kosovës: “Nuk do të ketë gjithmonë gjithçka, por do të ketë mjaft ushqime bazë në veri të krahinës, në mënyrë që njerëzit të jetojnë normalisht ose relativisht normalisht”, deklaroi ai pas mbledhjes urgjente të këshillit të sigurisë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>