Serbia është bërë vendi i parë në rajon që ka marrë doza të vaksinës AstraZeneca dhe ndër të paktët në botë që kanë katër lloje vaksinash kundër COVID-19.
Mëngjesin e së dielës mbërritën 150 mijë doza të AstraZeneca të importuara nga India ku ndodhen edhe fabrikat më të mëdha të kompanisë britanike.
Ato u pritën në aeroport nga presidenti Aleksandër Vuçiç dhe ambasadorët e Mbretërisë së Bashkuar dhe Indisë në Beograd.
Serbia ka aktualisht 4 lloje të vaksinave kundër COVID-19, Sputnik V të Rusisë, Sinopharm të Kinës, Pfizer dhe së fundi AstraZeneca.
Vuçiç tha se deri në fillim të prillit, 20% e popullsisë serbe do të ketë marrë një dozë vaksine.
Ai u shpreh krenar që Serbia është një ndër tre shtetet e vetme në botë, së bashku me Mbretërinë e Bashkuar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, që kanë në dispozicion 4 lloje vaksinash kundër COVID-19.