Serbia përdor Ramën për propagandë kundër kosovarëve: kryeministrja serbe i quan kosovarët të paprinciptë

Nga Ilmi Rehova
Serbia përdor Ramën për propagandë kundër kosovarëve: kryeministrja serbe i quan kosovarët të paprinciptë

Pas Erdoganit, Aleksandër Vuçiç është politikani botëror më i afërt i Kryeministrit Rama. Në pesë vitet e fundit Rama dhe Vuçiç janë takuar në takime dy dhe shumë palëshe më shumë se 10 herë, përfshi një vizitë zyrtare të Vuçiçit në Tiranë dhe të paktën tre të Ramës në Beograd.

Por përtej propagandës sipërfaqësore, miqësia Rama-Vuçic nuk ka sjellë asnjë përfitim tjetër. Niveli i shkëmbimeve tregtare dhe i bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Serbisë ka mbetur i pandryshuar, ndërkohë që nuk ka patur ndonjë shkëmbim apo zhvillim tjetër në fusha të tjera.

Edi Rama e ka përdorur këtë miqësi për vetëmburrje personale si një udhëheqës i rëndësishëm në Ballkan dhe faktor i forcimit të paqes dhe bashkëpunimit në Ballkan e më gjerë.

Por përfituesi i vërtetë i kësaj miqësie ka qënë Aleksandër Vuçiç, i cili ka përdorur mjeshtërisht Edi Ramën për të forcuar pozitën e serbëve në negociatat me Kosovën. Një nga qasjet kryesore serbe përballë kosovarëve ka qenë pretendimi se serbët janë të hapur dhe të përgatitur për të bërë kompromise, por kosovarët janë njerëz të papërgjegjshëm dhe të paarsyeshëm me të cilët negociatat nuk kanë vlerë—prandaj me ta duhet përdorur dora e fortë e imponimit.

Pikërisht për këtë tezë, miqësia Rama-Vuçiç ka qenë element kryesor propagandistik: serbët kanë pretenduar se ata nuk kanë asgjë me shqiptarët, përkundrazi janë të hapur për bashkëpunim dhe miqësi me ta—këtë gjë e provon plotësisht miqësia Vuçiç-Rama dhe marrëdhëniet shumë të mira mes Serbisë dhe Shqipërisë që kanë krijuar Rama dhe Vuçiç. Pra, serbët nuk kanë paragjykime dhe qendrime raciste apo urrejtjeje etnike ndaj shqiptarëve, por thjesht udhëheqesit kosovarë janë të papërgjegjshëm, ndryshe nga shqiptarët e tjerë të përfaqësuar nga Rama.

Rasti më i fundit i përdorimit të Edi Ramës nga serbët për propagandë kundër kosovarëve ishin deklaratat e kryeministres serbe Anna Brnabic të para dy ditëve. Sikurse raporton media serbe B92, Brnabic i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të premten që të mos “venë në provë durimin dhe mirekuptimin serb.”

Ajo i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të kuptojë durimin e madh që duhet për të negociuar me kosovarët, pasi ata janë “të paprinciptë, të papërgjegjshëm dhe të paparashikueshëm”. Brnabic i akuzon kosovarët se nuk kanë bërë asnjë gjë gjatë pesë viteve të fundit për të përmbushur marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Gjithashtu, ajo ka akuzuar kosovarët se kanë shkelur rregullat ndërkombëtare për vizitat e zyrtarëve në vendet e tjera, duke ju referuar mos lejimit nga autoritetet kosovare të një pjesë të takimeve që Vuçiç ka kërkuar të zhvillojë gatë vizitës së tij në Kosovë pas disa ditësh. Po ashtu, ajo akuzon kosovarët se kanë terrorizuar ekipin negociues serb, duke ju referuar arrestimit nga autoritetet kosovare të Marko Gjuriçit.

Për të përforcuar akuzat ndaj kosovarëve Brnabic është shprehur se presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka bërë më shumë se çdo politikan tjetër i çdo lloj pale gjatë 100 viteve të fundit për të ndërtuar marrëdhënie të mira mes serbëve dhe shqiptarëve. Për të ilustruar këtë vullnet dhe kontribut të pretenduar të Vuçiçit, Brnabic ka sjellë si ilustrim pikërisht marrëdhëniet me Edi Ramën. Ajo ka lëvduar Vuçiçin që ftoi Edi Ramën për të vizituar Serbinë, si “i pari kryeministër shqiptar që vizitoi Serbinë pas 68 vjetësh”, dhe për organizimin e një tjetër vizite të Ramës gjatë së cilës u organizua një forum ekonomik në Nish ku u hap rruga për bashkëpunim ekonomik mes shqiptarëve dhe serbëve.

Mesazhi është i qartë, Vuçiç dhe serbët janë të mirë me shqiptarët, çfarë vertetohet nga bashkëpunimi i tyre me Edi Ramën, por kosovarët janë të papërgjegjshëm dhe të paprinciptë dhe me ta duhet një gjuhë tjetër. Prandaj, komuniteti ndërkombëtar duhet të mos i tolerojë kosovarët në negociatat me Serbinë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>