Kompania italiane Serenissima, e cila duhet të ndërtonte by-pass-in e Fierit dhe atë Vlorës ka falimentuar: qeveria shqiptare ka sekuestruar dy kantierët e ndërtimit dhe ka kërkuar dorëzimin e dokumentacionit përkatës brenda afatit ligjor prej dy javësh.
Në fillim të prillit, autoriteti rrugor njoftoi shoqërinë se nëse brenda datës 6 prill 2017 kantierët nuk do të rihapeshin plotësisht, kontratat do të shfuqizoheshin në mënyrë të njëanshme. Kantierët nuk u hapën dhe të dyja kontratat u shfuqizuan në mënyrë të njëanshme nga autoriteti kontraktues, me arsyen e vonesave të gjata në përfundimin e punimeve.
Kontrata e parë, për realizimin e by-pass-it të Fierit, iu dha kompanisë Serenissima Construzioni s.p.a në vitin 2013 dhe punimet duhet të përfundonin në tetor 2017. Por deri tani ajo mundi të kryente vetëm një pjesë të vogël të punimeve. E njejta gjendje vazhdon edhe me by-pass-in e Vlorës, kontrata tjetër e fituar nga Serenissima në fillim të vitit 2015.
Kompania hyri në tregun shqiptar në vitin 2013 në sajë të mbështetjes politiko-diplomatike dhe arriti të fitojë dy kontrata të mëdha në Shqipëri dhe arriti të sigurojë du kontratat e mësipërme me vlereë totale prej 80 milionë euro.
Mënyra se si kompania fitoi tenderat për këto dy kontrata shkaktoi shumë debate ndërmjet ndërtuesve shqiptarë, sepse ajo i fitoi garat duke ofruar një vlerë shumë më të ulët se sa vlera fillestare e ankandit. Madje, vlera e ofruar nga kompania ishte më e ulët se sa kosto e vërtetë e punimeve.
Vlerat shumë të ulta dhe ndjekja e një politike vetëvrasëse në marrëdhëniet me nënkontraktorët krijoi një sërë mosmarrëveshjes të cilat sollën bllokimin e punimeve, bllokimin e llogarive bankare, dhe pamundësinë për të përfunduar ndërtimin e veprave publike.
Pas një sërë negociatash të kota, në të cilat morën pjesë edhe përfaqësues të politikës italiane, qeveria shqiptare vendosi të shfuqizojë kontratat.
Ndërkohë, në shtator të vitit 2016, në Itali pronësia e kompanisë ndryshoi. Aksioneri i vetëm i Serenissimës, firma e fuqishme A4 Holding spa, u ble nga grupi më i madh privat evropian i menaxhimit të autostradave, kompania spanjolle Albertis.
Albertis vendosi ta shesë Serenissiman e cila u ble për pak para nga një sipërmarrës italian, i cili nuk arriti dot të bindë qeverinë shqiptare se mund të përfundojë ndërtimin e dy unazave kryesore në qytetin e Fierit dhe Vlorës.
Tani të dy kantierët e ndërtimin, me siguri do të tenderohen nga fillimi me afate kohore më të gjata.
Ndërkohë kompania Seresnissima duhet të përballet me gjyqe për mospagesën e 17 milionë eurove në drejtim të nënkontraktorëve.
Ndërsa kreditorët shqiptarë të gjendur në befasi nga shitja e kompanisë Serenissima janë shprehur se do të padisin grupin A4 Holding — pronari i vjetër i kompanisë Serenissima, me akuzën e mos mbikqyrjes së zbatimit të kontratave nga Serenissima.
Kjo tregon edhe një herë se qeveritë shqiptare, të ndikuara nga lobistët dhe diplomatët e huaj, i besojnë ndërtimin e veprave publike të rëndësishme operatorëve ekonomik fallso, që vijnë në Shqipëri vetëm për të bërë letra fallso.