Kompania Pfizer/BioNTech bëri me dije të premten se qeveria amerikane ka blerë 200 milion doza shtesë të vaksinës së tyre COVID-19.
Një pjesë e dozave, rreth 65 milion prej tyre, do të shkojnë për vaksinimin e fëmijëve nën 12 vjeç, ndërsa pjesa tjetër planifikohet të përdoren si doza të mundshme përforcuese.
Sipas një zyrtari të administratës Biden, të cituar nga Reuters, si pjesë e marrëveshjes, kompania do t’i sigurojë Shteteve të Bashkuara mundësinë për të blerë një version të ri të vaksinës, që synon variante të reja të virusit.
Marrëveshja vjen në momentin që varianti Delta i koronavirusit po përhapet shpejt në të gjithë vendin dhe amerikanët po debatojnë nëse u nevojitet një dozë përforcuese këtë vjeshtë.
Blerja e con numrin e përgjithshëm të dozave të vaksinës Pfizer/BioNTech të blera nga Shtetet e Bashkuara në 500 milion, nga të cilat janë dorëzuar tashmë rreth 208 milion doza.