Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e quajti “historik” vendimin e Tribunalit të Hagës për të konfirmuar dënimin me burgim të përjetshëm për Ratko Mlladiç për gjenocid dhe krime lufte në Bosnjë Hercegovinë gjatë luftës në periudhën 1992 – 1995.
“Ky gjykim historik tregon se ata që kryejnë krime të tmerrshme do të mbajnë përgjegjësi. Vendimi gjithashtu fuqizon vendosmërinë tonë të përbashkët për të parandaluar ndodhjen e mizorive të ardhshme kudo në botë”, thuhet në deklaratën e Biden.
Për Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, vendimi i sotëm do të sjellë sado pak ngushëllim për të afërmit e viktimave gjatë luftës në Bosnje ku humbën jetën më shumë se 100 000 njerëz.
Përfaqësuesi i Lartë i BE në politikën e jashtme, Josep Borrell dhe Komisioneri për Zgjerimin, Olivér Várhelyi dolën me një deklaratë të përbashkët për këtë ngjarje.
Sipas tyre, vendimi ndaj Mladiç duhet t’i shërbejë edhe palëve politike në Bosnjë për të kapërcyer trashëgiminë e luftës dhe për të ndërtuar paqen e qëndrueshme.
Por vendimi i Hagës duket se nuk ka sjellë reflektim për palën serbe në Bosnje e cila e ka kundërshtuar atë.
Lideri serb boshnjak Milorad Dodik, i cili aktualisht po kryeson presidencën e Bosnjës, kritikoi gjykimin si të padrejtë, duke thënë se Gjykata ishte i njëanshme kundër serbëve dhe vendimet e saj minojnë besimin në drejtësinë ndërkombëtare.
“Është e qartë për ne se ka një përpjekje këtu për të krijuar një mit rreth gjenocidit në Srebrenicë i cili nuk ka ndodhur kurrë,” tha Dodik, raporton Reuters.
Kundër vendimit të Tribunalit është shprehur edhe djali i Ratko Mlladiç i cili ka shërbyer në forcat ushtarake serbe gjatë luftës në Bosnje.