Rrjeti social Facebook ka fshirë disa faqe aktivitetesh për protesta në Kaliforni, Nebraska dhe Nju Xhersi kundër masave të qëndrimit në shtëpi në mes të pandemisë COVID-19.
Sipas Reuters, Facebook i ka hequr këto aktivitete sepse bien ndesh me udhëzimet e qeverisë dhe përbëjnë rrezik të lartë për shëndetin e qytetarëve, për shkak të mosrespektimit të distancimit fizik.
“Ngjarjet që kundërshtojnë udhëzimet e qeverisë për distancimin shoqëror nuk do të lejohen të promovohen në Facebook”, tha Andy Stone, zëdhënësi i Facebook-ut.
Ndërsa shumica e amerikanëve pajtohen me kufizimet, në disa shtete ka pasur protesta dhe tentative për të organizuar protesta kundër kufizimeve.
Të dielën, 19 prill, rreth 2.500 njerëz u mblodhën në Uashington për të protestuar kundër masave të izolimit dhe mbylljes së bizneseve.