Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit Ned Price tha se SHBA do të inkurajojë qeverinë e re të Kosovës të ketë prioritet dialogun me Serbinë.
Ai tha se SHBA-të “mbështesin fuqimisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja midis Kosovës dhe Serbisë, që synon një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit, e cila duhet të përqendrohet në njohjen reciproke”.
“Ne do ta inkurajojmë qeverinë e re, pasi ajo të formohet, që t’i ketë prioritet këto negociata”, ka deklaruar Price.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha se Uashingtoni po pret që të punojë me qeverinë e re të Kosovës për çështjet prioritare “për të avancuar paqen, drejtësinë dhe prosperitetin në Kosovë dhe në rajonin e gjerë”.
I pyetur në lidhje me përpjekjet e administratës Trump për të normalizuar marrëdhëniet Beograd-Prishtinë, ai tha se administrata e Biden mbështet këto përpjekje.
Pas daljes së rezultateve të zgjedhjeve ku Vetëvendosja doli forcë fituese, lideri i saj Albin Kurti tha se formimi i një ekipi negociues për dialogun me Serbinë “nuk është përparësi” e tij dhe shtoi se “është një përparësi e gjashtë apo e shtatë për qytetarët e Kosovës”. “Prioriteti ynë është punësimi dhe drejtësia”, tha Kurti.
Kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiç tha se ndjen keqardhje që “dialogu Kosovë-Serbi nuk është përparësi e Kurtit”.
Bashkimi Europian i ka bërë thirrje qeverisë së ardhshme të Kosovës të vazhdojë angazhimin për dialogun me Serbinë.
Në mars 2021 bëhet 10 vjet që prej nisjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.