SHBA inkurajon qeverinë e re të Kosovës t’i japë përparësi dialogut me Serbinë

Nga Exit News
SHBA inkurajon qeverinë e re të Kosovës t’i japë përparësi dialogut me Serbinë

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit Ned Price tha se SHBA do të inkurajojë qeverinë e re të Kosovës të ketë prioritet dialogun me Serbinë.

Ai tha se SHBA-të “mbështesin fuqimisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja midis Kosovës dhe Serbisë, që synon një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit, e cila duhet të përqendrohet në njohjen reciproke”.

“Ne do ta inkurajojmë qeverinë e re, pasi ajo të formohet, që t’i  ketë prioritet këto negociata”, ka deklaruar Price.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha se Uashingtoni po pret që të punojë me qeverinë e re të Kosovës për çështjet prioritare “për të avancuar paqen, drejtësinë dhe prosperitetin në Kosovë dhe në rajonin e gjerë”.

I pyetur në lidhje me përpjekjet e administratës Trump për të normalizuar marrëdhëniet Beograd-Prishtinë, ai tha se administrata e Biden mbështet këto përpjekje.

Pas daljes së rezultateve të zgjedhjeve ku Vetëvendosja doli forcë fituese, lideri i saj Albin Kurti tha se  formimi i një ekipi negociues për dialogun me Serbinë “nuk është përparësi” e tij dhe shtoi se  “është një përparësi e gjashtë apo e shtatë për qytetarët e Kosovës”. “Prioriteti ynë është punësimi dhe drejtësia”, tha Kurti.

Kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiç tha se ndjen keqardhje që “dialogu  Kosovë-Serbi nuk është përparësi e Kurtit”.

Bashkimi Europian i ka bërë thirrje qeverisë së ardhshme të Kosovës të vazhdojë angazhimin për dialogun me Serbinë.

Në mars 2021 bëhet 10 vjet që prej nisjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>