SHBA kanë filluar sulme ajrore kundër një milicie të mbështetur nga Irani në kufirin Irak-Siri.
Sulmet e së dielës goditën “objektet operative dhe të magazinimit të armëve”, në përgjigje të sulmeve me dronë mbi forcat e SHBA-së, tha Pentagoni në një deklaratë.
Presidenti Joe Biden “do të veprojë për të mbrojtur personelin amerikan”, thuhet aty.
Pentagoni nuk dha asnjë informacion mbi viktimat. Por një grup monitorimi tha se pesë luftëtarë të milicisë humbën jetën.
Agjencia shtetërore e lajmeve siriane Sana ndërkohë raportoi se një fëmijë kishte vdekur dhe të paktën tre persona të tjerë ishin plagosur.
Kjo është hera e dytë që Presidenti Biden ka autorizuar sulme ajrore kundër milicive të mbështetura nga Irani, që nga marrja e detyrës në janar.
Forcat amerikane me qendër në Irak janë goditur disa herë gjatë muajve të fundit nga sulmet me dron. Irani ka mohuar çdo përfshirje.
Rreth 2,500 trupa amerikane janë të vendosura në Irak si pjesë e një koalicioni ndërkombëtar që lufton grupin xhihadist të Shtetit Islamik (ISIS).
Sipas Pentagonit, sulmet ajrore goditën dy objektiva në Siri dhe një në Irak. Ai tha se grupet e milicisë të mbështetur nga Irani përfshirë Kataib Hezbollahun dhe Kataib Sayyid al-Shuhada përdornin këto objekte.
Ndikimi i Iranit mbi punët e brendshme të Irakut është rritur në mënyrë të vazhdueshme që nga pushtimi i udhëhequr nga SHBA që rrëzoi Saddam Hussein në 2003.
Sulmet vijnë ndërsa Irani ka qenë duke zhvilluar bisedime me fuqitë botërore, përfshirë SHBA për ringjalljen e një marrëveshje bërthamore të vitit 2015, e cila hoqi sanksionet kundër tij në këmbim që të ndalonte disa projekte bërthamore.
Fuqitë e huaja dyshojnë se Irani ka ambicie për të ndërtuar një bombë bërthamore, diçka që Irani e mohon fuqimisht.
Ish Presidenti i SHBA Donald Trump tërhoqi në mënyrë të njëanshme SHBA nga marrëveshja në 2018 dhe vendosi përsëri sanksionet.