I dërguari i Posaçëm i Presidentit Amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi përkrahu sot qëndrimin e qeverisë së re të Kosovës për të hequr taksën ndaj mallrave serbe.
Përmes një postimi në Twitter, i besuari i Trumpit, Richard Grenell, iu drejtua kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Kadri Veseli duke theksuar se taksa duhet të hiqet dhe se qeveria e re ka të drejtë në këtë drejtim.
“Kadri, Shtetet e Bashkuara po kërkojnë që Kosova ta heqë taksën 100%. Ajo dëmton Kosovën dhe pengon bizneset në krijimin e vendeve të punës. Albini ka të drejtë për këtë”
Komenti i Grenellit erdhi pasi të enjten Veseli i bëri thirrje Kryeministrit të ri Albin Kurti, të mos bëjë manovra me taksën pasi vendosja e saj ishte vendim dinjitoz për Kosovën.
Të mërkurën qeveria e re, e formuar nga koalicioni Vetëvendosje-Lidhje Demokratike e Kosovës (LDK), u shpreh se “do ta kthente taksën në reciprocitet ekonomik dhe politik”.
Më herët një kërkesë të ngjashme për të mos hequr taksën ia paraqiti qeverisë së Kurtit edhe ish-Kryeministri Haradinaj. Ky tha se “në kundërshtim të Serbisë duhet të jemi bashkë deri në njohje reciproke, e jo të jesh për një reciprocitet pa njohje”.
Heqja e taksës mbi mallrat serbe konsiderohet nga serbët vendimtare në lidhje me rinisjen e dialogut. Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i Presidentit Amerikan Donald Trump, i ka kërkuar qeverisë Kurti heqjen saj.
Taksa 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina u vendos nëntorin e vitit 2018, nga qeveria e kaluar e Kosovës e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.
Vendimi erdhi pasi lobimi i Serbisë pengoi anëtarësimin e Kosovës në disa organizata ndërkombëtare. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç vendosi tërheqjen nga bisedimet duke e kushtëzuar dialogun me heqjen e taksës.