
Sekretari amerikan i shtetit ka paralajmëruar Rusinë të ndalojë të gjitha “veprimet e pamatura dhe agresive” ndaj Ukrainës.
Antony Blinken i bëri këto komente gjatë një udhëtimi në Kiev të enjten ku u takua me zyrtarët më të lartë ukrainas, raporton Reuters.
Gjatë takimit me Presidentin Volodymyr Zelensky, Blinken tha se SHBA po kërkon të forcojë bashkëpunimin midis dy vendeve në fushën e ekonomisë dhe sigurisë.
Vizita vjen vetëm disa javë pasi Rusia vendosi mijëra ushtarë pranë kufirit me Ukrainën.
“Ne jemi të vetëdijshëm se Rusia ka tërhequr disa forca nga kufiri … por ne gjithashtu shohim që forca dhe pajisje të konsiderueshme mbeten atje”, tha Blinken.
Diplomati i lartë amerikan tha se Uashingtoni ishte “duke vëzhguar situatën nga afër”.
Ai nuk dha detaje të mëtejshme të ndonjë mbështetje shtesë sigurie që SHBA po konsideronte për Ukrainën.