Kosova dhe Serbia diskutoi sot në Berlin nën ndërmjetësimin e SHBA-ve, mundësinë për të rihapur linjën hekurudhore mes dy vendeve. Nga përfaqësuesi amerikan u tha se ishin bërë përparime.
Diskutimet u kryen në nivel ekspertësh nga të dyja vendet. Ato u ndërmjetësuan nga i dërguari i posaçëm i Presidentit Trump, Richard Grenell dhe u bënë pak ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes me kompaninë Eurowings për rihapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd.
Grenell i tha Radios Evropa e Lirë se ishin bërë përparime pasi palët kishin lëshuar “Letër Synimi për bashkëpunim hekurudhor”.
“Diskutimet kanë shkuar aq mirë saqë kemi biseduar edhe për çështje të tjera. Do të punojmë për të përfunduar Letrën e Synimit për hekurudhat, përmes postës elektronike, gjatë javës së ardhshme ose më vonë. Dua t’i falënderoj përsëri ekspertët nga Serbia dhe Kosova, që kanë udhëtuar sot në Berlin për këto bisedime”
Ekspertët kosovarë ishin Xhemë Veseli dhe Ramë Çupeva, ndërsa për palën serbe bisedimet i drejtoi Marko Gjuriç, drejtor i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Ministri kosovar i Infrastrukturës Pal Lekaj tha se cilado qoftë marrëveshja që do të arrihet ajo duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Për çështjen e rihapjes së linjës hekurudhore Grenell mori dakordësi nga udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë në vizitat që ai zhvilloi javën e shkuar.
Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj u shpreh se një marrëveshje për hekurudhat me Serbinë nuk e dëmton Kosovën, pasi “hekurudha është në gjendje të dobët dhe është në proces rinovimi”.
Haradinaj hodhi poshtë pretendimet se diskutimet për lëvizjen ndërmjet Kosovës e Serbisë janë rinisje e bisedimeve për normalizimin e marrëdhnëieve mes tyre.
“Nuk kam drejt ta definoj si dialog, por fakti që po ndodhin disa marrëveshje që kanë, ta quaj ashtu, një karakter të qarkullimit të njerëzve, për shkak të taksave tash është më i vështirësuar e mirëpresim, këtë e kemi kërkuar edhe më herët për një dialog pa kushte, pa u heq taksa”
Taksa 100 për qind u vu nga qeveria e Haradinajt si reagim ndaj politikës bllokuese të Serbisë për njohjet dhe anëtarësimet e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Kjo bëri që edhe bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve të ndërpriteshin.