Dhoma e Përfaqësuesve amerikanë votoi, të martën, pro rezolutës që i kërkon zëvendëspresidentit Mike Pence të përdorë amendamentin e 25-të të Kushtetutës për të shkarkuan presidentin në largim Trump.
Rezoluta u miratua me 223 vota pro dhe 205 kundër. Vetëm një republikan, Adam Kinzinger, përfaqësuesi i Illinoisit, votoi pro rezolutës.
Votimi i Dhomës së Përfaqësuesve u bë megjithëse Pence refuzoi publikisht thirrjen bërë nga Kryetarja e Kongresit Nancy Pelosi për aktivizimin e amendamentit.
Pence u shpreh:
“Nuk besoj se një mënyrë e tillë veprimi është në interesin më të mirë të kombit tonë ose në përputhje me Kushtetutën tone. Tani nuk do t’i nënshtrohem përpjekjeve në Dhomën e Përfaqësuesve për të luajtur lojëra politike në një kohë kaq serioze për kombin tonë.”
Pavarësisht refuzimit të zëvendëspresidentit për të përdorur amendamentin e 25-të, pasditen e së mërkurës, pritet që në Kongres të mbahet votimi për shkarkimin e mundshëm të Trumpit për rolin e tij në ngjarjet e javës së kaluar në Kapitol.
Pelosy ka thënë dhe më herët se demokratët do të përpiqen me çdo mundësi të shkarkojnë presidentin, nëse Pence dhe kabineti i Shtëpisë së Bardhë nuk e shkarkojnë atë së pari duke aktivizuar amendamentin e 25-të të Kushtetutës së SHBA.
Amendamenti i 25-të, i ratifikuar nga shtetet në 1967, deklaron se me largimin, dorëheqjen ose vdekjen e presidentit, zv/presidenti merr detyrën e tij. Kjo dispozitë kushtetuese specifikon gjithashtu që nëse presidenti nuk është në gjendje të kryejë detyrën e tij, zv/presidenti do të shërbejë si president i përkohshëm.
Amendamenti i 25-të nuk përshkruan qartë se cilat duhet të jenë proceset procedurale nëse presidenti nuk mund të përcaktojë vetë aftësinë e tij për të ushtruar ose detyrën. Një krizë e mundshme kushtetuese mund të ndodhë nëse amendamenti përdoret për të larguar një president të papërshtatshëm, i cili nuk është i gatshëm të heqë dorë nga pushteti.
Tentativat e demokratëve për të shkarkuar Trumpin vetëm para pak ditë para mbarimit të mandatit lidhet me trazirat e 6 janarit në Kapitol.
Mbrëmjen e 6 janarit, qindra mbështetës të presidentit hynë në mënyrë të dhunshme në Kapitol, Kongesin amerikan, teksa po shqyrtohej certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve presidenciale.
Fillimisht Trump i bëri thirrje protestuesve të marshonin në Kapitol. Por kur ata thyen rrethimin dhe nisi dhuna, ai i bëri dy herë thirrje mbështetësve të tij që të qetësoheshin.
Nga përplasjet me policinë, janë raportuar 5 viktima dhe mbi 50 persona të tjerë janë arrestuar.