Pas shumë protestash e kundërshtimesh nga qytetarët, SHBA ka vendosur t’i japë fund ndalimit të hyrjeve të shtetasve nga 11 vende, që konsiderohen nga SHBA me rrezik të lartë.
Megjithatë shtetasit nga këto 11 vende, kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Afrika, do të përballen me masa më të forta kontrolli dhe sigurie në kufijtë amerikanë.
Lajmin për masat e reja të sigurisë e bëri publik Sekretarja e Sigurisë së Brendshme Kirstjen Nielsen. Në një konferencë për shtyp, sekretarja njoftoi se vendimi u mor pas një vëzhgimi 90 ditor nga Departamenti i Shtetit, Departamenti i Sigurisë Kombëtare dhe agjensitë e inteligjencës, të hyrjes në SHBA të shtetasve nga Egjipti, Irani, Iraku, Libia, Mali, Koreja e Veriut, Somalia, Sudani Jugor, Sudani, Siria dhe Jemeni. 40 për qind e emigrantëve të ardhur në SHBA në 3 vitet e fundit janë pikërisht nga këto vende.
Sekretarja theksoi se këto masa të reja sigurie kanë për qëllim parandalimin e hyrjes në SHBA të terroristëve, kriminelëve dhe mashtruesve.
Rregullat e reja të kontrollit së këtyre shtetasve teksa hyjnë në Amerikë janë ndryshimet më të fundit që Presidenca Trump po bën në programin e refugjatëve, që këtë çështje e sheh si të lidhur ngushtë me sigurinë kombëtare.
Që prej marrjes së Presidencës amerikane, Donald Trump vazhdimisht ka ndërmarrë nisma kundër refugjatëve. Trump ka vendosur kufizime të shumta për programin e refugjatëve, duke përfshirë kufizimin e numrit të refugjatëve të lejuar në vend në vitin fiskal 2018, në më pak se gjysmën e numrit të vendosur nga ish-Presidenti Barak Obama për 2017.
Agjencia e lajmeve Reuters bëri të ditur me që prej muajit tetor kur u mor vendimi për ndalimin e hyrjeve, numri i emigrantëve në tërësi u përgjysmua dhe vetëm 23 nga shtetasit e 11 vendeve të përmendura më lart mundën të hyjnë ligjërisht në SHBA.