Zëvendës Ndihmës Sekretari Matt Palmer i ka kërkuar drejtuesve politik të të gjitha partive të largojnë personat që paraqesin shqetësim për lidhjet e mundshme me krimin.
“Zëvendës Ndihmës Sekretari Matt Palmer ishte këtu virtualisht javën e kaluar dhe bëri të qartë që ka emra që përbëjnë shqetësim. Ata e dinë kush janë. Drejtuesit politikë e dinë kush janë. Ne i kemi shprehur mendimet”, u shpreh Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim, e ftuar në emisionin “Përballë”, me gazetarin Lutfi Dervishi, të martën, në RTSH.
Ambasadorja u shpreh se SHBA-të kanë 3 emra të ndaluar për të kandiduar në zgjedhjet e 25 prillit per shkak të lidhjeve me krimin:
“Votuesit do të kenë mundësinë këtë radhë sepse është listë e hapur, për të vendosur se kush duhet t’i përfaqësojë. Ju pyetët për emra. Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta për 3 emra. Nuk e bëjmë lehtë këtë; merr vite të tëra kërkim; një pjesë e informacionit është në dispozicion dhe të gjithë e dinë; një pjesë e informacionit është e klasifikuar dhe nuk mund ta diskutoj, por mund të them që është shumë serioz dhe Sekretari i Shtetit nuk e vendos emrin e tij/saj lehtë në këto përcaktime që bën”.