SHBA-të për dialogun Kosovë-Serbi: Nuk përjashtohet ideja e shkëmbimit të territoreve

SHBA-të për dialogun Kosovë-Serbi: Nuk përjashtohet ideja e shkëmbimit të territoreve

I dërguari i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor Matthew Palmer deklaroi sot se SHBA-të inkurajojnë rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi dhe të jenë dy shtetet vetë ato që vendosin parametrat e bisedimeve.

Mattew Palmer, në një intervistë për EUObserver, pyetur për idenë e shkëmbimit të territoreve si zgjidhje e konfliktit u shpreh se:

“U takon palëve të krijojnë parametrat e dialogut.

Ajo çfarë mbështesim ne është që palët të gjejnë rrugë për t’u kthyer në tavolinën e negociatave, duke vendosur në tavolinë çështjet që i shqetësojnë ato dhe të gjejnë mënyrë për normalizim të marrëdhënieve, mundësisht me njohje reciproke në thelb.

Ne do të dëshironim të shohim njohje reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë si rezultat i procesit negociues.”

Palmer nuk komentoi më gjatë kur u pyet nëse qëndrimi i SHBA-ve për shkëmbimin e territoreve kundërshton qëndrimin e Gjermanisë, e cila ka thënë se një marrëveshje për shkëmbimin e territoreve mund të destabilizojë gjithë rajonin e Ballkanit.

Ideja për shkëmbimin e territoreve, është një ide e mbështetur nga presidenti Serb Aleksandar Vuçiç, për të cilën ka biseduar dhe me presidentin Thaçi e kryeministrin Rama. Sipas kësaj ideje, Serbia mer Mitrovicën e Veriut nga Kosova, ndërsa Lugina e Preshevës i kalon Kosovës.

Exit News ka shkruar një kronologji të lindjes dhe zhvillimit të kësaj ideje këtu.

Më 17 shkurt 2008 Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia. Gjykata Ndërkombëtare e Drjetësisë në Hagë vlerësoi se pavarësia nuk kishte shkelur asnjë ligj ndërkombëtar. Dymbëdhjetë vite më vonë Serbia vazhdon të mos e njohë shtetin e Kosovës, megjithëse ajo njihet nga 115 vende. Marrëdhëniet mbeten të tensionuara, pasi prej vitit 2018 dialogu për normalizimin e marrëdhënieve është ndërprerë. Dialogu pritet të rinisë pas heqjes së tarifës 100% të Kosovës për mallrat serbe.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>