Shefi i diplomacisë së BE-së Borrell: Nuk mbështesim shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi

Nga Exit News
Shefi i diplomacisë së BE-së Borrell: Nuk mbështesim shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi

Bashkimi Europian mbështet një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë, që nuk përfshin shkëmbimin e territorit, por njeh kufijtë aktualë.

Kështu ka deklaruar Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, dhe ndërmjetësues në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Radios Evropa e Lirë, Borrell ka thënë se ndryshimi i territoreve mes Kosovës e Serbisë mund të ketë efektë të tjera në gjithë rajonin:

“Është e qartë se ne në BE do të preferonim të ruhet gjendja e tanishme sa u përket kufijve.

Po ashtu, disa shtete anëtare janë kundër çfarëdo lëvizjeje në këtë drejtim.

Nëse filloni t’i ndryshoni kufijtë në një vend, atëherë edhe të tjerët mund të thonë se duan të njëjtën gjë. Pra, gjëja më e mirë për t’u bërë është ruajtja e status quo-së dhe të shihet se si do të shkojnë negociatat.”

Borrell tha se çdo marrëveshje duhet të marrë patjetër dakordësinë e Kosovës e Serbisë. Por ai theksoi se dy vendet nuk kanë dorë të lirë të vendosin ç’të duan pasi vendimet e tyre, sjellin pasoja në rajon:

“Së pari, duhet thënë se marrëveshja duhet të jetë mes serbëve dhe kosovarëve. Nëse ata nuk pajtohen, atëherë asgjë nuk bëhet. Por, është thënë tashmë se marrëveshja duhet të pranohet nga bashkësia ndërkombëtare.

Ato [Kosova dhe Serbia] nuk i kanë duart e lira që të vendosin çfarëdo të duan, sepse mund të ketë edhe pasoja kolaterale në rajon. Dihet shumë mirë se sa e ndjeshme është të ndryshohen kufijtë.”

Lidhur me rolin që do të ketë SHBA-ja në diskutime, Borrell tha:

“Ne nuk jemi në garë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës rreth dialogut. Është vëtëm një dialog, e ai është dialogu që e ka nisur BE-ja. Nëse Shtetet e Bashkuara duan të ndihmojnë, kjo është mirë, të na japin një dorë ndihme.”

Ai sqaroi se bisedimet do të nisin sapo në Kosovë të sqarohet situata e brendshme politike.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>