Paul Flynn, drejtuesi i zyrës ligjore dhe të drejtave të njeriut në EULEX, Kosovë në një intervistë për emisionin “Betimi për drejtësi”, më 27 tetor, në RTK sqaroi arsyet pse shtetasit serbë nuk janë arrestuar për krimet e luftës në Kosovë.
“Mos harroni se kur bëhet fjalë për të pandehurit serbë që jetojnë në Serbi, kushtetuta serbe e ndalon ekstradimin e shtetasve në vendet e treta dhe nuk po flas vetëm për Kosovën.
Serbia nuk e njeh Kosovën dhe si rrjedhojë EULEX quhet organizatë ndërkombëtare. Dhe ne jemi duke u marr me Serbinë në përpjekje për të arritur një marërveshje.
EULEX arriti një marrëveshje në 2011 për shkëmbim të nformacioneve dhe provave me Serbinë” tha për RTK, Flynn.
Flynn mori shembullin e hetimit të masakrës së Krushës së Vogël, ku nga 50 të akuzuar për kryerjen e masakrës arritën vetëm të arrestonin Darko Tasici.
“Në rastin Krusha e Vogël, siç e dimë, është kryer një masakër e tmerrshme kundër qytetarëve shqiptarë. Fillimisht kanë qenë rreth 100 dëshmitarë të intervistuar dhe ky ka qenë një prej rasteve i cili ishte zgjedhur për t’u përqendruar në të. […] Këto dëshmi u dhanë në video incizime dhe ne tash i kishim ato.[..]
Kërkesa për hetime ishte bërë kundër 50 të pandehurve kurse ai ishte i vetmi të cilin ia dolëm ta kapnim. U ballafaquam me pengesa dhe bllokada, [..] shumë prej dëshmitarëve kur erdhi koha e gjykimit dhanë dëshmi të ndryshme nga ato që i kishin dhënë në deklaratat e tyre, [..]…”, tha ai.
I pyetur se si u ngrit Gjykata Speciale, Flynn tha se:
“Ju duhet të ktheheni tek raporti i Dick Martin në 2010, i cili pretendonte se ishin kryer vepra në kundërshtim me të drejtën penale. Si rezultat i kësaj BE i miratoi një rregullore dhe qe arritur pajtimi për krijimin e një trupi special hetimor.
Në fillim u ngrit task forca hetimore speciale. Në vitin 2014 në letërkëmbimin e nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe BE-së u vendos një dispozitë e veçantë për ta lejuar misionin, që Kosova t’i jepte mbështetje për të kryer këtë hetim.
Letërkëmbimi i vitit 2014 ndërmjet Kosovës dhe EULEX u kthye në ligj dhe tani sipas këtij ligji EULEX duhet të mbështesë këtë institucion.
Në vitin 2014 BE miratoi një rregullore duke mandatuar EULEX për të ushtruar rol mbështetës për këto institucione speciale. Në 2016 me ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës filloi punën Gjykata Speciale”, sqaroi Flynn.