Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Agron Shehaj është shprehur se hapja e partisë dhe gara brenda saj do ta bëjnë atë më të fortë.
Gjatë një takimi me anëtarë të PD të njësisë 11 në Tiranë, Shehaj shpalosi platformën e tij për drejtimin e partisë.
Shehaj nënvizoi se ai do të jetë i qëndrueshëm në qëndrimet e tij nëse fiton zgjedhjet për kryetar të PD-së dhe se do të përpiqet të nxisë hapjen dhe përfshirjen e anëtarësisë në vendimarrje.
“Nuk mund të ketë kauza që lihen rrugës, vetëm kështu rrëzohet qeveria duke i qëndruar deri në fund kauzave, jo flasim sa flasim dhe pastaj themi spo merremi më”, deklaroi Shehaj.
Ai kërkoi reformim të PD-së “duke e bërë më meritokrate, duke përfshirë ata që e meritojnë, njerëzit e aftë” dhe këtë sipas tij “duhet ta vendosi anëtarësia dhe formumet e PD”.
Në lidhje me kryetarin Basha, Shehaj u shpreh se lidershipi aktual nuk e çon dot PD-në në fitore.
Në rast humbje të zgjedhjeve, Shehaj tha se nuk do të pranojë asnjë post që do t’i ofrohet nga partia në strukturat e saj ose në Kuvend.
Ai vlerësoi se në zgjedhjet e 25 prillit kishte shit-blerje të votës por kjo sipas tij nuk ka qenë e vetmja arsye që PD i humbi zgjedhjet.
“Nuk mund ti themi të dyja edhe që janë vjedhur zgjedhjet edhe të futemi në parlament”, deklaroi ai.
Shehaj premtoi se do të mbajë qëndrime koherente dhe se do të denoncojë rastet e korrupsionit të qeverisë Rama në rast se vjen në krye të PD-së.
“Ne duhet të jemi totalisht ndryshe nga Edi Rama. Ne duhet t’i bindim shqiptarët që jemi të ndershëm, që nuk jemi të korruptuar…Politika nuk bëhet duke trashur zërin por duke mbajtur qëndrime”, u shpreh kandidati për kryetar në PD.