Ish-deputeti demokrat Agron Shehaj deklaroi sot se shembja e Teatrit Kombëtar do të ishte “atentat kulturor dhe historik kundër Shqipërisë dhe Tiranës”.
Në një status në Facebook, Shehaj shkruan se godina e Teatrit Kombëtar duhet të ruhet e restaurohet dhe jo të shembet, siç këmbëngul kryeministri Rama dhe kryebashkiaku Veliaj.
“Ndërtesa e tanishme mund të restaurohet e modernizohet dhe të shërbejë prapë si teatër apo qendër arti. Por edhe nëse nuk do shërbejë si teatër, ajo duhet të ruhet për vlerat unike historike.
Ndërtesa mund të kthehet fare mirë në muze të krimeve të komunizmit, sepse aty u zhvilluan gjyqet e para komuniste që shfarosën një pjesë të mirë të elitës intelektuale dhe patriotike të kombit”, shkruan Shehaj.
Ai propozoi ndërtimin e teatrit të ri në bulevardin e ri ku është planifikuar me planin urban të Tiranës.
Reagimi i Shehajt vjen pas publikimit të lajmit se Këshilli Bashkiak do të miratojë më 18 maj në mënyrë të paligjshme, akt–ekspertizën e Institutit të Ndërtimit për Teatrin Kombëtar, bërë në mars 2018.
Me shumë gjasa ky votim do të përdoret nga Veliaj si pretekst për shembjen e Teatrit Kombëtar.