Shehaj: Qeveria i jep 21,5 milionë euro tendera për karburant kompanisë së favorizuar Kastrati

Nga Gerard Gega
Shehaj: Qeveria i jep 21,5 milionë euro tendera për karburant kompanisë së favorizuar Kastrati

Kompania Kastrati u shpall fituese pa garë e 4 tenderave për karburant me vlerë totale rreth 21,5 milionë euro. Ky fakt u denoncua nga ish deputeti demokrat Agron Shehaj. Shehaj shkroi ne faqen e tij zyrtare në facebook se:

Kastrati Sha fitoi një tender fiktiv që i jep të drejtë ekskluzive të furnizojë qeverinë me karburant per 3 vitet e ardhshme. Qeveria Rama do blejë karburantin me shumicë me përreth 180 lek për litër, me pothuajse të njëjtin çmim që e blejnë konsumatorët të pompa e karburantit.

Më 12 shtator, Ministria e Brendshme zhvilloi tenderin më të madh për blerje karburanti në historinë e shtetit shqiptar: 21.5 milionë euro për blerje kaburanti për tre vjet u tenderuan në tre lote. Në të tre lotet morën pjesë dy kompani të njëjta, Kastrati Sha dhe AT&T.

AT&T u regjistrua në garë si mbulesë dhe nuk paraqiti asnjë ofertë dhe asnjë dokument. Si rezultat, Kastrati Sha i fitoi të tre tenderat automatikisht si i vetmi ofertues, me metodën e zakonshme të vjedhjes së parave publike nën qeverisjen Rama.

Kështu Kastrati Sha siguroi monopolin e furnizimit me karburant të gjithë shtetit shqiptar për të tre vitet e ardhshëm.

Çmimi me të cilën u akorduan tenderat është skandaloz: çmimi i importit me shumicë plus një marzh fitimi prej 15,9%-17,9%, marzh fitimi disa herë më i lartë se ai i tregut.

Po të bësh llogaritë nisur nga çmimet e tanishme të importit, i bie që qeveria shqiptare po ble një litër naftë me 177,1 lekë për litër.

Aktualisht, kompanitë e karburanteve i furnizojnë konsumatorët e mëdhenj me çmim shumice prej 161-163 lekë për litër. Kjo do të thotë se shteti shqiptar po e ble karburantin me çmim rreth 15 lekë për litër, ose 10 për qind, me shtrenjtë se po ta blinte në tregun e lirë.

Për blerjen me vlerë 21,5 milionë euro nga Kastrati Sha, qeveria do të paguajë mbi 2 milionë euro më shumë se sa po ta blinte karburantin direkt në treg, pa patur nevojë për tender dhe për garë.

Klientelismi, korrupsioni dhe abuzimi me paratë e taksapaguesve shqiptarë, janë qëllimi kryesor i qeverisë Rama.

Historia e tenderave

Agjencia e Prokurimit Publik njoftoi se Kastrati ishte e vetmja kompani që u kualifikua nga dy, të cilat paraqitën oferta. Kompania tjetër A&T u skualifikua në të katërta tenderat “për mos-plotësim të asnjë prej kritereve”.

Tenderat në të cilët Kastrati është shpallur fituese:

  1. Furnizim me naftë për automjete, afat 2 vjeçar, 4,7 milionë euro
  2. Furnizim me naftë për automjete, afat 3 vjeçar, 12,5 milionë euro
  3. Furnizim me benzinë për automjete, afat 2 vjeçar, 400 mijë euro
  4. Furnizim me benzinë për automjete, afat 3 vjeçar, 4 milionë euro

Në muajin gusht Exit.al kishte lajmëruar për zhvillimin e 7 tenderave me vlerë rreth 26 milionë euro dhe me specifikime, të cilat paracaktonin si fituese kompaninë Kastrati.

Aktualisht janë bërë publike vetëm 4 prej këtyre tenderave.

Specifikimet teknike që kufizonin konkurrencën dhe paracaktonin fituesin ishin kapacitetet teknike të ofruesit. Kompanitë pjesëmarrëse në tenderat “duhet të paraqisnin dëshmi për furnizime të ngjashme gjatë 3 viteve të fundit, në vlerë jo më pak se 40% të vlerës së fondit limit të lotit”.

Për tenderin me vlerën më të madhe – tenderi i 2-të – kriteri plotësohej vetëm prej Kastratit, pasi ajo rezulton kompania kryesore furnitore e institucioneve publike me rreth 245 kontrata me vlerë 4,7 milionë euro.

Që kur u krijua në vitin 2018, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara – agjenci nën varësinë e Ministrit të Brendshëm – ka zhvlluar një numër prokurimesh për blerje karburanti, por me fond shumë herë më të vogël.

Gara e tenderit të 2-të me fond rreth 12,5 milionë euro është gara më e madhe e zhvilluar ndonjëherë, gati tre herë më e madhe se garat e mëparshme, ndërkohë që me shpalljen fituese në të paktën 4 tendera me vlerë 22 milionë euro, Kastrati merr në zotërim pjesën më të madhe të tregut publik.

Procedura e tenderimit është me “marrëveshje kuadër” e cila nuk detyron blerjen e gjithë sasisë së parashikuar, por detyron që blerjet të bëhen vetëm te kompania me të cilën lidhet kontrata.

Karburanti i tenderuar do të jetë për furnizimin e automjeteve  të institucioneve dhe agjencive shtetërore, përfshi ministritë, policinë, drejtoritë dhe agjencitë e zhvillimeve bujqësore, hekurudhat, peshkimin, doganat.

Kush është kompania A&T?

Kompania që plotësoi formalitetet e tenderave për Kastratin, zotërohet nga Fabian Goçi, fituese e më shumë se 100 tendera me vlerë mbi 1 milionë euro për furnizim me karburant të institucioneve publike – kryesisht lokale.

Tre vite më parë Goçi rezultoi i përfshirë në skandalin e kompanisë “Fullpet”, e cila përmes ndikimit te zyrtarët e tatimeve kishte përfituar lirimin e një sasie të madhe nafte të konfiskuar duke i shkaktuar shtetit një dëm rreth 4 milionë euro.

Prokuroria akuzoi 6 persona, mes të cilëve edhe Goçin. Për të ajo kërkoi 8 vite burg me akuzën “fshehje e të ardhurave”, por kjo akuzë u hodh poshtë nga Gjykata e rrethit Tiranë dhe ajo e Apelit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>