Shemben dy vilat e fundit otomane në Tiranë, do ndërtohet pallat

Nga Exit News
Shemben dy vilat e fundit otomane në Tiranë, do ndërtohet pallat

Dy prej vilave të periudhës otomane në Tiranë, në rrugën ‘Tefta Tashko Koço’, janë shëmbur ditët e fundit.

Një prej vilave ishte shpallur Monument Kulture i Kategorisë I që prej vitit 1987, shpallur nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.

Me shembjen e tyre, në Tiranë nuk ka më asnjë vilë të periudhës otomane.

Burime për Exit Neës kanë treguar se aty do të ndërtohet një pallat, megjithëse rreth rrënojave të vilave nuk ka asnjë tabelë treguese.

Dy vilat kategorizoheshin si ndër modelet më tipike të shtëpive tradicionale tiranase, ndërtuar në një prej rrugëve të të njohura të qytetit dhe të banuara historikisht nga familjet e vjetra tiranase.

Sipas faqes “The Albanian House” (Shtëpia Shqiptare), vila monument kulture i përket pasardhësve të familjes Toptani, një prej familjeve më të njohura të Tiranës.

Sot, besohet se vila është e ndarë mes dy familjeve, për shkak të dy hyrjeve të saj kryesore dhe faktit që kati përdhes i njërës prej gjysmave të shtëpisë ka kaluar nëpër disa rikonstruksione dhe ndryshime nga gjendja e tij origjinale.

Dhjetra vila të tjera të vjetra në rrugicat e Tiranë janë shembur për t’i hapur vend pallateve shumëkatëshe.

Në rrugicat pranë rrugës së Elbasanit dhe në zonën e ish-Bllokut po ndodh një proces i ngjashëm.

Shumica e këtyre vilave, të ndërtuara në gjysmën e parë të shekullit të 20-të, janë provat e fundit të historisë urbanistike të Tiranës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>