Një tjetër vilë e viteve ’30 është shembur në Tiranë, kohët e fundit. Bëhet fjalë për një vilë urbane në rrugën ‘’Rreshit Collaku’, pas degës së Postës Shqiptare tek Tregu Çam.
Sipas The Albanian House, mendohet se vila është ndërtuar gjatë viteve ’30. Ajo është lënë pa mirëmbajtje ndër vite, e pa restauruar dhe ka qenë subjekt i disa shtesave dhe ndërhyrjeve arbitrare.
Muajt e fundit, shumë vila të peridhës otomane, disa prej tyre dhe Monument Kulture i Kategorisë I, janë shembur për t’i hapur rrugë pallateve shumëkatëshe.
Në maj, një vilë e periudhës otomane në rrugën ‘Tefta Tashko Koço’ u shemb. Aty do të ndërtohet një pallat shumëkatësh.
Edhe në zonën e ish-Bllokut dhe në rrugicat e Rrugës së Elbasanit, janë shembur vilat e vjetra dhe ka nisur ndërtimi i pallateve.
Me shembjen e vilave të vjetra të qytetit, Tirana po humbet një fragment tjetër shumë të rëndesishëm të autenticitetit dhe gjenezës së saj si qytet.